Site icon Telegrafi

Mbahet takimi i parë me grupin punues për vettingun, Selimi: Drejtësia, punë e hisedarëve të saj dhe jo e politikës

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi së bashku me Zëvendëskryeministrin, Driton Selmanaj, sot kanë mbajtur online, takimin e parë me anëtarët e Grupi Punues për hartimin e modaliteteve dhe skenarëve për çështje të reformës në sistemin e Drejtësisë me qëllim të adresimit të llogaridhënies duke përfshirë edhe vettingun.

Sipas komunikatës ministrore, Selimi fillimisht ka falënderuar zëvendëskryeministrin Selmanaj për përkrahjen e ofruar dhe ka përshëndetur gatishmërinë e treguar nga anëtarët e grupit punues i cili do të analizojë dhe dizajnojë sistemin e llogaridhënies duke përfshirë edhe vettingun.

“Është tejet me rëndësi fakti që ky grup është pjesë e një procesi të konsultimeve, poashtu është pjesë e një procesi në të cilin gjithpërfshirja ka qenë kërkesa jonë kryesore dhe për këtë kanë treguar gatishmëri për të bashkëpunuar shoqëria civile, institucionet dhe të gjithë hisedarët e sistemit të drejtësisë me qëllim të garantimit të objektivitetit dhe transparencës” tha Selimi.

Selimi theksoi se takimi i sotëm konfirmon se sistemi i drejtësisë është punë e hisedarëve të drejtësisë dhe jo e politikës dhe me këtë përçojmë një mesazh përmes së cilit i tregojmë partnerëve tanë strategjikë, SHBA, BE si dhe anëtarëve tjerë, se Qeveria e Republikës së Kosovës është serioze në realizimin e procesit të reformës në drejtësi dhe vendimet të cilat do të merren, do të jenë gjithëpërfshirëse dhe të zbatueshme.

Nga ana tjetër Zëvendëskryeministri Selmanaj në fjalën e tij ka theksuar rëndësinë që ka ky proces i reformës në drejtësi përmes së cilit synohet përmirësimi i sistemit të drejtësisë.

“Jemi përball një procesi shumë të rëndësishëm dhe si i tillë, nuk do të jetë pronë as e politikës dhe as e Qeverisë. Përmirësimi i sistemit të drejtësisë mbetet prioritet për ne, ndërsa modeli se si do të jetë ky proces do të jetë rezultat i punës tuaj. Deri në fund të muajit tetor të këtij viti, presim nga ky grup që të përgatis raportin përfundimtar mbi skenarët e Reformës në Sistemin e Drejtësisë dhe pas kësaj ne do të marrim obligim që t’i materializojmë këto vlerësime që dalin nga puna juaj në këtë proces” tha Selmanaj.

Zëvendëskryeministri Selmanaj ka falënderuar Ministrin Selimi për bashkëpunimin dhe angazhimin e tij në këtë proces dhe njëherit ka theksuar përkushtimin e Qeverisë për realizimin e reformës në drejtësi dhe për të bërë hapa përpara në fuqizimin e sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës.

Nga takimi i Grupit Punues, pjesëmarrësit u pajtuan që kryesues i këtij grupi të jetë përfaqësuesi nga shoqëria civile, Florent Spahija.

Exit mobile version