Drejtori i ri i Shtëpisë së Shëndetit – Shkup, Vullnet Selimi, ka paralajmëruar masa disiplinore për mjekët të cilët dëgjonin muzikë me zë të lartë në poliklinikën në Draçevë.
“Pas publikimit të një video inçizimi nga brenda Poliklinkës së Draçevës ku dëgjohej këngë me një zë jashtëzakonisht të lartë e që është jashtë çdo etike dhe rregullore, kam vizituar para pak çastesh poliklinkën në fjalë. Mjeku kujdestar më ka konfirmuar se ajo skenë ka ndodhur të enjten e kaluar duke e arsyetuar atë me rastin e pensionimit të një të punësuar në Klinikë, gjë që edhe sipas tij ka kaluar normalen.
Për këtë lëshim, do të ndërmerren masa disiplinore si ndaj udhëheqësit të polinikës por edhe ndaj mjekut kujdestar të asaj dite kur ka ndodhur kjo skenë. Skena si këto nuk mund të tolerohen në ambiente ku njerëzit marrin ndihmën e nevojshme mjekësore”, shkruan Selimi në profilin e tij në Facebook. /Telegrafi/