Site icon Telegrafi

Selimi: Kosova merr fonde nga MCC, ekspertët theksojnë shkallën e korrupsionit

Bordi i Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), e ka përzgjedhur Kosovën në mesin e shteteve të tjera për të zhvilluar programe që do ta ndihmojë atë në zhvillimin e saj.

Sado që vendi po përballet me sfidat më të mëdha në fushën e sundimit të ligjit, thonë ekspertët, përfshirja e Kosovës në një projekt të madh të kësaj korporate, që prej disa muajsh, e ndihmon atë në proceset e zhvillimit.

Kosova u bë shteti i parë në Ballkanin Perëndimor që u kualifikua për kontratën kompakte, si niveli më i lartë i kontratës me Korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), që sjell investime në fusha kritike, që gjenerojnë vende të reja të punës.

Koordinatori i kësaj Korporate në Kosovë, Petrit Selimi, i tha Radios Evropa e Lirë se bordi i saj nuk e ka larguar e as nuk ka shkurtuar fonde për Kosovën.

Sipas tij, Kosova do të përfitojë fonde të reja që do të përdoren për adresim të çështjeve të caktuara.

“Kosova nuk do të humb fonde nga MCC, Kosova do të përfitojë fonde nga MCC dhe disa nga këto fonde do të përdoren edhe për adresimin e çështjeve si perceptimi i korrupsionit. Fatmirësisht, vendimi i bordit në MCC i cili kryesohet nga sekretari i shtetit John Kerry, e ka përshpejtuar procesin e dhënies së granteve për Kosovën dhe ne parashohim që në pjesën e dytë të vitit 2017, të investohet në fusha si energjia, ambienti dhe sundimi i ligjit, në reforma të thella dhe në hapa të cilat do të krijojnë një platformë të ardhshme të zhvillimit ekonomik”, tha Selimi.

Sipas tij në janar të vitit të ardhshëm do të draftohen projektet finale dhe më pas bordi do të vendosë për nivelin përfundimtar të mjeteve. Selimi tha se këto do të jenë ndihmat më të mëdha amerikane që prej pasluftës.

Por, ndërkohë, ekspertë të fushës thonë se Kosova nuk ka arritur që të dëshmohet si një partner i rëndësishëm ndërkombëtar.

Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se ndihma që mund të vijë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk duhet të shikohet vetëm në aspektin ekonomik, por edhe strategjik.

“Nuk dua që Kosova të dështojë. Mos shfrytëzimi i këtyre mundësive ose eventualisht largimi i Kosovës nga agjenda e këtij Mileniumi do të jetë një ndër grushtet më të mëdha ekonomike që i jep perspektives zhvillimore të Kosovës. Prandaj, vërtetë me një projekt dhe fondacion të tillë nuk duhet të tregohemi joserioz dhe nuk duhet të kënaqemi vetëm për të qenë pjesë, por duhet të shfrytëzohen mundësitë që i ofron një fondacion i tillë”, tha Gërxhaliu.

Gërxhaliu, konsideron se aktualisht Kosova vuan nga imazhi i keq që çdo ditë e më shumë, siç thotë, po dëmtohet nga dukuria e korrupsionit.

“Krahas korrupsionit është një gjenerim i burokracisë e cila e dëmton ambientin biznesor në Kosovë dhe kuptohet se emëruesi i përbashkët i daljes nga një situatë e tillë është sundimi i rendit dhe ligjit. Dhe definitivisht duhet të bëhet me tepër”, tha Gërxhaliu.

Në raportet e fundit të Transparency International Kosova është radhitur në mesin e vendeve me shkallën më të lartë të korrupsionit. Më shumë se 65 për qind e qytetarëve të Kosovës mendojnë se korrupsioni është një prej tri problemeve kryesore me të cilat përballet vendi I tyre. (REL)

Exit mobile version