Site icon Telegrafi

Selimi: Kosova ka fituar grantin më të madh në 10 vjetët e fundit

Petrit Selimi, koordinator në Zyrën për Sfidat e Mijëvjeçarit, ka thënë se 49 milionët që Kosova ka përfituar nga Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit janë një fakt real.

Sipas tij, ato që janë thënë që Kosova ka humbur dhe nuk i ka përfituar këto fonde nuk qëndrojnë.

“Spekulim total, 49 milionët janë ndarë për Kosovën. Nuk është e vërtetë që kanë humbur, Kosova ka fituar programin e dytë më të madh në historinë e MCC-së”.

“Zërat që janë cinikë dhe jo mirëkuptues për kushtet që janë plotësuar le të lexojnë deklaratat e Kongresit Amerikan për të kuptuar se Kosova ka fituar një grant madhor që do të investohen në ekonominë kosovare”.

Selimi që është i ftuar në Ballë për Ballë në Klan Kosova ka komentuar edhe fjalët se Nepali ka përfituar fondet e Kosovës ose se Nepali ka përfituar më shumë fonde.

“Nepali ka fituar më shumë mjete, por Nepali ka shumë më shumë banorë. Për kokë banori jemi programi më i madh, pa kurrfarë dyshimi, Kosova ka fituar një grant optimal të madh, ndoshta më të madhin këto 10 vjetët e fundit”.

Ai ka treguar edhe se ku do të shkojnë këto 49 milionët që Kosova ka përfituar nga MCC-ja.

“Është investim i madh, do të jetë investim në shtëpitë dhe banesat kosovare për tu izoluar në mënyrë që të rritet efiçenca e energjisë elektrike, ky është projekt prej 22 milionë eurosh. Një projekt tjetër do të jetë  edhe ai i pagesave për ngrohje në bazë të asaj se sa shpenzojmë e jo metrave katrorë, matje përmes njehsorëve digjitalë”.

“Një projekt tjetër është ai i transparencës në qeverisje dhe gjykata, procesi i digjitalizimit është duke ndodhur, por me këtë projekt qytetari mund ta përcjellë vetë lëndën në Gjykatë, ta shohë se në çfarë shkalle është lënda e tij dhe është dhe projekti i fundit  ai që lidhet me ambientin, do ta bëjmë sistemin nacional që ekziston po nuk është i konsoliduar që në mbarë Kosovën qytetarët të dinë saktësisht cilësinë e ajrit 24 orë gjatë ditës”.

Selimi ka sqaruar poashtu se “49 milionë eurot e përfituara nuk janë kredi po janë grant i Qeverisë Amerikane”.

Por këto para nuk do të jenë pjesë e buxhetit të Kosovës.

“Këto mjete nuk shkojnë në buxhetin e Kosovës, shkojnë një mekanizëm që mbikëqyret e që deri në 5 % të buxhetit do të të shkojë në preventivën e keqmenaxhimit të mundshëm, do të ketë ekspertë nga Amerika që do të jenë në Kosovë për këtë”.

Ai në fund ka përmendur edhe vizitën e presidentit Hashim Thaçi dhe zëvendëskryeministrit të parë, Behgjet Pacolli në ngjarjen e OKB-së.

Sipas tij, kjo është një mundësi shumë e mirë për Kosovën.

“Për ne me rëndësi është që në një ndërtesë takohen gjithë liderët botëror dhe kjo është mundësi e mirë e lobimit, përforcimit të njohjeve dhe përkujtimit se Kosova ka pasur progres.”.

“Agjenda formale tregon se janë dhjetëra takime,  do të jetë edhe një takim i shkurtër me presidentin Donald Trump, pasi Zonja e Parë, Melania Trump ka ftuar çiftin për një mbrëmje”.

“Thaçi do të ketë mundësinë të bisedojë me Trump për situatën në Kosovë”.

Exit mobile version