Telegrafi

​Selimi kërkon përfshirjen e SHBA-së dhe BE-së në procesin e vettingut

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi sot për herë të parë është takuar me grupin punues të ekspertëve për procesin e vettingut, grup ky i cili u themelua nga qeveria e kaluar.

Selimi pas këtij takimi tha se ky proces i llogaridhënies në Kosovë duhet të përfshijë edhe hisedarë të tjerë që kontribuuan në sistemin e drejtësisë por edhe në shtet-ndërtimin e Kosovës siç janë SHBA dhe Bashkimi Evropian.

I pari i drejtësisë në Kosovës po ashtu tha se për këtë proces kanë marrë mbështetjen edhe të Këshillit Prokurorial dhe atij gjyqësor të Kosovës.

“Ky proces i llogaridhënies të bashkëdyzohet me hisedarë tjerë siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, Britania e Madhe dhe hisedarët që kanë kontribuar që sa kohë… Kam marrë zotim që edhe Këshilli Prokurorial dhe ai Gjyqësor që edhe hisedarët tjerë siç janë ambasadat e SHBA-së, Bashkimi Evropian, Komisioni Evropian, ambasada britanike dhe ambasadat tjera që të jenë pjesë e një sistemi gjithëpërfshirës. Pra nëse kemi gjithë-përfshirje të gjithë e dinë që kemi objektivitet dhe ky objektivitet duhet të formohet edhe me ato palë që potencialisht nuk mund të pajtohen mes vete, por këto mospajtime dhe gjetje e të vërtetës duhet ta diskutojmë bashkë“, tha ai, raporton KP.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Driton Selmanaj, tha se tashmë puna e ekipit është e fokusuar në zgjedhjen e modelit të vettingut, por që sipas tij ky grup duhet të përfshijë edhe akterët ndërkombëtarë dhe institucionet tjera që merren me sundimin e ligjit në vend.

“Ne si Qeveri e Kosovës po e përsërisim edhe njëherë përkushtimin tonë të thellë se jemi shumë të angazhuar që procesi i reformës në drejtësi të ndodh. Jemi shumë të përkushtuar që në Kosovë të ketë hapa konkret në fuqizimin e sundimit të ligjit, në fuqizimin e shtetit të së drejtës dhe tash jemi në fazat ku po e përcaktojmë modelet më të mira se cilat janë ato. Ne kemi vlerësim maksimal për punën që është bërë deri sot nga ky grup, por normalisht jemi të përkushtuar të vazhdojmë me këtë grup por duke pasur një qasje edhe më gjithëpërfshirëse për të përfshirë edhe akterët tjerë të rëndësishëm që kanë ndihmuar them forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë dhe proceset e shtet-ndërtimit në Kosovë, por duke i përfshirë edhe institucionet tjera të cilat drejtpërdrejte merren me sundimin e ligjit”, tha ai.

Grupi punues i ekspertëve të pavarur për procesin e vettingut kishte afat që vetëm deri në fund të muajit maj të bënte hartimin e ekspertizës së plotë lidhur me vettingun në drejtësi, por më pas atij iu vazhdua mandati./Telegrafi/