Telegrafi

Selimi kërkon nga Prokuroria dhe Policia të nisin hetimet për vaksinat në veri

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, kërkuar nga Prokuroria dhe Policia që të fillojnë hetimet për hyrjen e vaksinave ilegale në veri.

Përmes një postimi në Facebook, Selimi ka thënë se Republika e Kosovës ka sistemin e prurjes së vaksinave përmes Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKShP-së, andaj ka vlerësuar se çdo vaksinë ose medikament që hyn jashtë këtij sistemi mund të jetë ilegal dhe ta cenojë sigurinë kombëtare të Republikës.

“Ftoj Kryeprokurorin e Shtetit dhe U.D. Drejtorin e Policisë së Kosovës që të fillojnë hetimet për hyrjen e vaksinave ilegale në veri. Përtej obligimit tonë që të sigurojmë shëndetin e të gjithë qytetarëve tanë pa dallim etnie, Republika e Kosovës ka sistemin e prurjes së vaksinave përmes Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKShP-së. Çdo vaksinë ose medikament që hyn jashtë këtij sistemi mund të jetë ilegal dhe ta cenoj sigurinë kombëtare të Republikës”, ka thënë Selimi.

Ai thekson se rrugët e kontrabandës duhet të hetohen dhe të mbrohet integriteti territorial.

“Ne nuk kemi ndarje të privilegjit se kush merr vaksinë më herët apo më vonë. Çdo qytetar i Republikës është i barabartë. Rrugët e kontrabandës duhet të hetohen dhe të mbrohet integriteti territorial”, shtoi ai.

Sipas tij, ky sistem i kamufluar si çështje humanitare jep indikacion se ka rrugë të kontrabandës në veri.

“Këto rrugë duhet të mbyllen! Çështjet humanitare janë udhërrëfyes yni, por duhet të bëhen rrugëve zyrtare si dy shtete. Nuk kemi qytetar të kategorisë së parë ose të dytë. Të gjithë jemi kosovarë dhe si të tillë i obligohemi vetëm një Kushtetute e një ligji”.

“Kemi sistem unitar të shtetit. Tendencat e Serbisë për ta rrezikuar këtë sistem, qoftë edhe në sistem shëndetësor, përbën cenim të integritetit tonë”, ka shkruar Selimi.