Në vizitën që u bëri sot zjarrfikësve, kandidati për Kryetar të Prishtinës nga AKR, Selim Pacolli premtoi se në mandatin e tij, ai do të angazhohet në zgjerimin e kapaciteteve të operimit.
Sipas Pacollit zjarrfikësit ndonëse bëjnë një punë të rrezikshme dhe fisnike, ata janë lënë anash për një kohë të gjatë.
Gjatë kësaj vizite, Pacolli shpalosi programin e tij ku parasheh zgjerimin e kontingjentit të zjarrfikësve dhe përmirësimin e infrastrukturës ku janë të stacionuar.
Ai gjithashtu tha se tashmë ka identifikuar vendet evropiane, ku zjarrfikësit e Prishtinës do të mund të kryejnë trajnime të avancuara si dhe shprehu keqardhje që sot në Prishtinë nuk mendohet shumë për rastet e intervenimeve emergjente.
“Është për keqardhje që në ndërtimin e infrastrukturës së qytetit, nuk mendohet për shërbimet emergjente, e për pasojë shpesh mungesë të qasjes së zjarrfikësve ku kërkohet intervenimi i tyre i shpejtë” u shpreh Pacolli.