Site icon Telegrafi

Selim Pacolli me program konkret për trafikun urban

Në vazhdën e takimeve me qytetarë dhe subjekte të ndryshme në Prishtinë, Selim Pacolli, kandidat i Aleancës Kosova e Re (AKR), me përfaqësues të kompanisë së transportit “24 Yjet”, diskutoi dhe shpalosi programin e tij për zgjidhjen e kaosit në trafik.

Pacolli gjatë këtij takimi theksoi se është për keqardhje që nuk po shfrytëzohen mundësitë e bashkëpunimit mes kompanive private dhe institucioneve komunale.

Sipas Pacollit, përmes një bashkëpunimi më të ngushtë mes komunës dhe kompanive private, dhe veçmas përmes partneritetit publiko- privat, shumë probleme me të cilat po përballen qytetarët do të zgjidheshin.

Ai premtoi që problemi i pengimit të operimit të tyre si pasojë e gropave, mungesës së infrastrukturës së duhur në stacione, problemet me licencim, dhe probleme të ngjashme, në qeverisjen e tij me komunë do t’i takojnë të kaluarës.

Kandidati i Aleancës Kosova e Re për kryetar të Prishtinës premtoi që nuk do të këtë lagje apo lokacion të Prishtinës pa linjë të veçantë të transportit publik, dhe se praktika e përkrahjes së grupeve të përjashtuara, të cilën e ka aplikuar kompania “24 Yjet” do të gjejë përkrahje institucionale dhe financiare.

Pacolli premtoi që studentët, pensionistët dhe personat me nevoja të veçanta do të lirohen nga pagesa për shfrytëzimin e shërbimit të transportit publik. /Telegrafi/

Exit mobile version