Telegrafi

Selim Pacolli në mbrojtje të fjalës së lirë dhe gazetarëve

Kandidati i AKR-së për Kryetar të Prishtinës, Selim Pacolli ka qenë ndër të parët që ka reaguar ndaj sulmit të djeshëm që i është bërë kryeredaktorit të Insajderit, Vehbi Kajtazit.

Në një reagim në profilin e tij në Facebook, Pacolli ka thënë se është i tronditur nga kjo ngjarje dhe se ai e dënon ashpër cenimin e lirisë së shprehjes, apo gazetarisë hulumtuese që po bëhet së fundmi në Kosovë.

“Jam i tronditur nga lajmi për sulmin që i është bërë gazetarit Vehbi Kajtazi. E dënoj ashpër çdo tentim për frikësim të gazetarëve. Liria e shprehjes është e drejtë fundamentale që i takon gjithë qytetarëve të Kosovës, dhe çdo tentim për ta minuar atë do të dështojë. Kjo shoqëri duhet të mësohet të dëgjojë çdo të vërtetë. Sot dhe çdo ditë unë jam në mbështetje të fjalës së lirë dhe njerëzve që luftojnë vazhdimisht për të. Vehbisë, shërim sa më të shpejtë” ka thënë Pacolli.

Pacolli më tej ka thënë se është për keqardhje që në vendin tonë edhe në vitin 2017 ndodhin këso ngjarje të cilat më pas raportohen edhe në mediat më të mëdha ndërkombëtare, duke ia prishur reputacionin shtetit të ri të Kosovës, ndërsa ka bërë thirrje për mbrojtje të gazetarëve në cilindo rast.