Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli, ka reaguar lidhur me zëvendësimin e flamurit kombëtar shqiptar “Te Rrethi” me atë të shtetit të Kosovës.
Pacolli, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se përkundër deklaratave publike që kanë qarkulluar sot në portale, Komuna nuk ka marrë informatë mbi zëvendësimin e flamurit kombëtar me atë shtetëror.
Ai ka thënë se flamuri kombëtar nuk zëvendësohet as fizikisht në shtizë, por as në zemrën e secilit shqiptar
Postimi i plotë i Selim Pacollit:
“Mbi temën e shumëpërfolur të flamurit tek zona e ‘Rrethit’ në hyrje të kryeqytetit, ndjej obligim të sqaroj gjithë qytetarët e Prishtinës se përkundër deklaratave publike që kanë qarkulluar sot në portale, Komuna nuk ka marrë informatë mbi zëvëndësimin e flamurit kombëtar me atë shtetëror. Sidoqoftë, më shqetësues është fakti që një temë e tillë është mediatizuar pa pasur nevojë duke pasur parasysh edhe ngarkesën emocionale që përçon.
Një një pikë, besoj se pajtueshmërinë e kemi të gjithë. Flamuri kombëtar personifikon unitet dhe forcë për gjithë shqiptarët kudo që janë. Ai nuk zëvendësohet as fizikisht në shtizë por as në zemrën e secilit shqiptar.
Prishtina e respekton simbolin shtetëror dhe fatmirësisht, ka pasur mjaft hapësira të tjera për ta bërë atë edhe më viziv në këtë dekadë të shtetësisë ku reflektojmë dhe punojmë për të ardhmen me synimin që të ecim përpara e t’i sheshojmë sa më shumë që të jetë e mundur problemet dhe tendencën dashakeqe për të krijuar dallime të paqena. Unë mbes me shpresë që vendosshmëri të tilla si kjo sonte, të demonstrohen nga autoritetet në gjithë territorin e vendit dhe jo vetëm tek Rrethi në hyrje të Komunës së Prishtinës” (sic.), ka shkruar Pacolli. /Telegrafi/