Në vazhdimësi të takimeve, kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës nga AKR, Selim Pacolli, vizitoi sot edhe disa mobilieri në Prishtinë, ku për së afërmi u njoftua me kushtet e punës së tyre dhe premtoi se prodhuesit vendorë do ta kenë përkrahjen e plotë.
Për prodhuesit e brendshëm. Pacolli gjithashtu shtoi se do të ketë politika favorizuese, ku ata do të mbështeten me subvencione në formë të granteve për zhvillimin e biznesit.
“Në Komunën e Prishtinës do të jetë një adresë e sigurt për kërkesat e tyre, sepse bizneset e vogla dhe të mesme janë shtylla kryesore e zhvillimit të çdo ekonomie moderne”, tha Pacolli.
Gjithashtu ai shtoi se sidomos për zejtarët të cilët kanë ruajtur traditën e tyre, programi i tij parasheh që të lirohen nga tatimi dhe ky profesion do të ruhet si aset kulturor.