Site icon Telegrafi

‘Selfie Museum’ – atraksioni më i ri në Tiranë me instilacione shumëngjyrëshe, Eraldo Rexho: Projekti lindi nga dashuria për të koleksionuar momente të bukura

‘Selfie Museum’ është një projekt i ri tashmë në qendër të Tiranës që i ka dhënë një tjetër hijeshi kryeqytetit.

Atraksioni më i ri, që ndodhet në Galeria ETC mbrapa Piramidës, ka sjell gjithçka që ju nevojitet, e madje është kthyer dhe në një destinacion propozimi për të shënuar një ditë të rëndësishme në jetën e secilit.

Për këtë projekt është punuar fort, për më shumë se një vit, për të cilin duket se tani gjithçka ia ka vlejtur.

Gazetari Eraldo Rexho në një bisedë për Telegrafin i ka rrëfyer të gjitha, se si nisi ideja, angazhimet që janë bërë e po ashtu dhe për planet për të zgjeruar konceptin, apo për të shtuar gjëra të tjera.

“Projekti lindi nga dashuria ime për të koleksionuar momente të bukura. Jetoj për to! Frymëzuar nga udhëtimet e 5 viteve të fundit e gjeta veten të angazhuar për realizimin e një ideje që s’kish mbërritur ende në Tiranë”, tha Rexho për Telegrafin.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga Eraldo Rexho

Gazetari i njohur shqiptar tutje thekson se ky muze i është kushtuar të gjithë atyre që duan të kenë profile plot ngjyra në rrjetet sociale.

“Ky projekt është një muze kushtuar atyre që duan të kenë profile plot ngjyra në rrjetet sociale, i organizuar përkohësisht në 20 hapësira të dekoruara fotografike, premton të kthehet shumë shpejt në një hapësirë rekreative për të vegjlit dhe të rinjtë. Kurse për fotografinë, mbrëmje muzikore, takime për librin dhe filmin, janë veç disa nga idetë që do zhvillojmë. Puna ka nisur prej janarit të 2022, ideja ka më shumë se 3 vite që bluhet në kokën time dhe të bashkëpunëtorëve të ngushtë të këtij projekti”, tha ai.

Por, për të realizuar një gjë të tillë nuk ishte edhe aq e lehtë për Rexhon, megjithëse kishte një dashuri të madhe për ta sjell edhe në Shqipëri.

“Nuk ka qenë e lehtë, por për gjërat që i do dhe i beson fort çdokush e gjen rrugën”, thotë më tej Eraldo.

Përkundër kësaj, ai pati dhe një mbështetje nga Ministria për Mbrojtjen e Sipërmarrjes në Shqipëri.

“Kështu e gjeta dhe unë, pas një thirrjeje nga Ministria për Mbrojtjen e Sipërmarrjes në Shqipëri, aplikova për mbështetjen e këtij start up-i dhe ja tek jemi, pas shumë orësh punë dhe takimesh me donatorë të tjerë”, vë në dukje gazetari.

Inspirimin ndërkohë e kishte nga udhëtimet e shumta, gjegjësisht nga Las Vegas – që njihet si një nga vendet e argëtimit botëror.

“Inspirimin e mora nga udhëtimet, ai që më ndezi shkëndijën ishte Las Vegas”.

Tiranës mbase i ka munguar mjaft shumë një qendër e tillë, meqë siç thotë Eraldo, njerëzit po argëtohen në masë të madhe dhe po e pëlqejnë këtë ndryshim.

“Njerëzit po e përqafojnë dhe po argëtohen shumë, me shtimin e hapësirave gjatë muajit të ardhshëm, mendoj që eksperienca do të jetë edhe më e bukur. Kemi pasur shumë vizitorë, madje edhe një propozim dashurie nga Kosova, që më ka gëzuar shumë. Kostoja e vizitës është 10 euro”, tha ai.

“Kureshtja është e madhe, marrim për ditë me dhjetëra pyetje kurioze, të cilat marrin përgjigjen në rrjetet sociale, por shumë prej tyre edhe gjatë vizitave fizike në hapësirën ku ndodhet Selfie Museum Albania – Galeria ETC (mbrapa Piramidës), kati i dytë”, shtoi në vazhdim Rexho.

Siç është dhe projekti argëtues me plot ngjyra, Eraldo vë në pah se ka dashur të përcjell gëzim te qytetarët e gjithashtu dhe për të dhënë një kontribut në këtë fushë.

“Ajo që kam dashur gjithmonë të përçoj tek njerëzit me të gjitha iniciativat që kam ndërmarrë ka qenë dhe është gëzimi. Dua shumë t’i shoh njerëzit të kënaqur, të kalojnë mirë, ndaj dhe gjithë kontributin tim e kam dhënë në industrinë e argëtimit”, përfundon bisedën për Telegrafin.

  • Ky muze i këndshëm me instilacione shumëngjyrëshe, dhoma me pasqyra apo këndin e telefonave nuk ka dyshim se do të jetë destinacion i preferuar për të gjithë dhe një vend që patjetër duhet vizituar.

/Telegrafi/ 

Exit mobile version