Ai ka thënë se ka mënyra të ndryshme që klubet të mos pushojnë aq gjatë. Siç thotë ai, një gjë të tillë tash ua mundëson përmirësimi i infrastrukturës, përkatësisht numri gjithnjë e më i madh i fushave me bar sintetik, shkruan sot Koha Ditore.
"Për kushte në infrastrukturë nuk duhet të ankohemi. Kosova tashmë ka gjashtë fusha me bar sintetik, të cilat gjatë dimrit mund të shfrytëzohen në forma të ndryshme nga klubet. Mund të formohet Liga e dimërore ose të shtyhen garat që në këtë fazë të luhen ndeshjet apo edhe të zhvilloheshin ndeshjet e Kupës. Mundësia ekziston që të formohet edhe një turne mbarëkombëtar me klubet shqiptare të Maqedonisë dhe ato të Shqipërisë. Është një mundësi e mirë të cilën tashmë klubet duhet ta shfrytëzojnë", ka thënë Bunjaki.
Së fundi në Ferizaj është përuruar fusha me bar sintetik e financuar nga Komisioni Evropian. Më herët janë përuruar edhe ajo në Gjakovë e Drenas. Në Prizren po ashtu stadiumi i qytetit është shtruar me bar sintetik, derisa në Mitrovicë, vite më parë është ngritur privatisht një fushë me bar të tillë. Priten edhe dy fusha tjera të përurohen së shpejti në qendra tjera të Kosovës.
Në të kaluarën dhe tash klubet qëllimisht ndërpresin aktivitetin gjatë sezonit të dimrit për të mos dëmtuar fushat edhe ashtu të këqija. Klubet detyroheshin që përgatitjet t’i zhvillonin në disa qytete të Shqipërisë për të shfrytëzuar edhe mundësinë e zhvillimit të ndonjë ndeshje miqësore.
Por Bunjaki thotë se tashmë gjërat janë më pozitive dhe se kjo duhet shfrytëzuar nga klubet.