Rreth tre orë zgjatën incidentet në Selanik për shkak të debatit politik “Çështja e Maqedonisë: përfitimet nga marrëveshja dhe perspektivat e Ballkanit” organizuar nga SYRIZA.
Pesë persona janë arrestuar, 14 policë janë dërguar në spital për t’ju ofruar ndihmën e parë, ndërsa është shkaktuar dëm material rreth panairit ndërkombëtar në qendër të Selanikut, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Një grup i personave të maskuar, janë ndaluar për të hyrë në objektin e panairit të Selanikut, ku u mbajt debati dhe u sulmua policia me shkopinj gome, mermer, gurë, e shkulën gardhin mbrojtës metalik, ndërsa policia u përgjigj me përdorimin e gazit lotsjellës.
Më vonë, incidentet u zhvendosën nëpër rrugët e Selanikut, ndërsa personat e maskuar i vënë zjarrin koshave të mbeturinave.
Paralelisht me incidentin një grup i qytetarëve nga “Lëvizja fishkëllima”, në mënyrë të qetë protestuan me flamuj grekë, fishkëllima dhe parulla që Maqedonia është greke.
Duke marrë parasysh atë se tifozët e klubit të futbollit PAOK, bënë thirrje për protestë dhe kërcënuan se nuk do të lejojnë të mbahet ngjarja, nga SYRIZA përmes një kumtese kërkojnë klubi i futbollit të dënojë incidentet.
Sipas AIM, pavarësisht incidenteve dhe gazit lotsjellës para objektit, debati u mbajt.
Fillimisht, ishte planifikuar ngjarja të mbahet në qendrën kulturore, por për shkaqe sigurie lokacioni ishte ndryshuar dhe është caktuar në hapësirat e panairit ndërkombëtar.
SYRIZA organizoi debat në Selanik, me qëllim që qytetarëve t’ju prezantojë përfitimet nga marrëveshja e nënshkruar ndërsa si reagim dhe në shenjë mospajtimi, tifozët e PAOK, por edhe anëtarë të lëvizjes së Selanikut paralajmëruan protestë./Telegrafi/