Site icon Telegrafi

Selami: DMSH posedon vetëm një “Air tractor” funksional

Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH) aktualisht ka vetëm një avion funksional “Air Tractor” nga tre që ka në pronësi, ka bërë të ditur drejtori i DMSH-së, Xhevat Selami.

Siç ka treguar Selami, tre ditë më parë janë thirrur mekanikët nga Spanja dhe kanë riparuar avionët, por të nesërmen është shfaqur i njëjti problem.

“Një aeroplan duhet të bëhet servis, ndërsa avionin tjetër e kemi riparuar para tri ditësh në Prilep kur funksiononin dy avionë. Kam thirrur mekanikët nga Spanja, i kanë riparuar avionët dhe po punonin po atë ditë, por sërish u shfaq i njëjti problem. Aktualisht është në përdorim vetëm njëri aeroplan, ndërsa për tjetrin duhet të presim deri nesër për të parë se si do të jetë situata, a do të mund të fluturojë apo jo”, tha Selami.

Drejtori i Qendrës për menaxhim me kriza, Stojançe Angelov, megjithatë në një deklaratë për AIM thotë se aktualisht nuk ka nevojë për avion shtesë.

“Air traktori” funksional, aktualisht po përdoret si masë parandaluese për shuarjen e zjarrit në Prilep.

“Sot ne përdorim një “Air tractor” në Prilep si masë parandaluese dhe nuk kemi nevojë për avionë të tjerë. Zjarri nuk është serioz, por kemi frikë se do të dalë jashtë kontrollit, sepse bimësia thahet shpejt”, tha Angelov.

Exit mobile version