Erifi po matej në rrugë se ku do ta pinte një kafe. Para se të hynte në piceri, u afrua të shitësi i duhanit dhe bleu një pako cigare. Veç një Zot e di si iu dukeshin njerëzit ulur, kur hyri brenda. Në çdo tavolinë të lokalit qëndronin uluar vetëm nga njeri, për shkak të pandemisë. U mat shumë herë se ku të ulej, dhe më në fund e pyeti një mesoburrë, a bën të ulej pranë tij? Ai pohoi me kokë, pasi ishte duke shikuar diçka në celular. Erifi që hyri, nxori menjëherë celularin e tij, pa shikuar askënd me sy. Kamerieri iu afrua sikur e njihte moti! Si zakonisht, i tha ai! Një ekspreso të gjatë!
Akoma pa e hapur telefonin që e mbante në dorë, një thirrje në celular sikur kishte qenë dikush duke e pritur. Iu përgjigj thirrjes pa u ulur mirë.
– Urdhëro, babit!
(Dëgjohet një zë fëmije)
– Babi, babi! Na ka marrë malli shumë me të pa!
– Ani babit, do të vij kur të më bëhet puna, se tash jam i zënë! Po si jeni, babit?
– Mirë babi, veç ky majmuni i vogël është hidhëruar dhe nuk po flet që nga mbrëmë kur ka ra me fjet.
– A mos është paqejf diçka?
– Jo babi, jo, por me siguri e ka marr malli me luajt pak me ty.
– Ani, babi vjen si të më tregoni kur del mami diku!
– E more babi ! Po ta shohësh mamanë, nuk do ta njohësh! Veç sa erdhi nga floktari! Kishte ngjyrosë flokët e bardha! Gati nuk e kemi njohur.
– Qysh asht Reksi (qeni) ?
– Mirë babi, mirë është! Qëkur ke dal ti nga banesa më nuk ka luajtur me askënd. Është shtri në tepih me kokë varur, thuajse po i mungon diçka!
– A i keni qitë me hëngër?
– Po babi, po, por as që e ka prek ushqimin. Përpara e ka, por nuk po han! Mami u mundua me luajt me te, por ai as nuk e ngriti kokën nga vendi! Nuk e di çka ka, por duket sikur nuk dëshiron të na shoh me sy, asnjërin nga ne!
– Ani kur del mami, vij unë, e ndoshta kuptojë çka ka! Selam iu bën baba juve të dyve dhe motrës!
– Mos harro selam edhe mamasë! Babi, babi, ajo po bëhet gati me dal! Mami tash është në banjo dhe me duket po e shikon frizurën e re! Nuk e di a i pëlqeu a jo, por dukej e ngrysur.
– Ani shumë mirë, babit! Më thirrni pak ma vonë kur të shkon mami. Është mirë të kuptoni sa kohë nuk do të kthehet mami dhe babai vjen e rri me juve dhe me qenin, e luajmë pak.
– Ani babi!
Të gjithë sa ishin në piceri e dëgjonin burrin e botës çka po flet. Veçanërisht ajo shprehja: selam mamasë, të gjithëve iu dukej interesant. Shumëkush po mendonte, pse selam mamasë?!
Mbylli telefonin burri i botës duke pritur çastin kur e shoqja të largohet nga shtëpia për të shkuar e për të ndenjur pak me fëmijët, e sidomos për ta disponuar pak Reksin (qenin).
Të gjithë e ndoqën me shikim se nga do t’ia mbante. Nuk bëri shumë hapa dhe hyri në çajtoren përballë picerisë.
U ulë në një qoshe të errët, por nga zhurma e njerëzve të tjerë, nuk mund të dëgjonte asgjë. Nxori celularin dhe futi kufjet në vesh, por kot.
Katër burra afër tij, jo që bisedonin, por i bërtisnin njëri-tjetrit në kupë të qiellit.
– A e pe çka bani Guardiolla?
– Po, po, e pashë! Po ai lidhje nuk ka me futboll! A nuk po e sheh Kllopin që ka ble futbollist të lirë e po fiton ma shumë se këta që kanë harxhuar milionat?
– Kush është Kllop bre? Kush e njeh atë? Po ai veç filozofon se lidhje me futboll nuk ka, ia pret tjetri!
– Si Zidani nuk ka, bërtet tjetri? Po ju nuk e kuptoni filozofinë e tij si këta të tjerët – vazhdon i treti.
Kufjet e Erifit nuk i ndihmonin aspak për të mos dëgjuar gjithë atë zhurmë në kupë të qiellit. Dukej sikur priste ta thërrisnin fëmijët edhe një herë, por kot.
Qëndroi mbi 30 minuta ulur me kufje në vesh, dhe sapo deshi të paguante çajin që kishte pirë, katër veta që bërtisnin u larguan me rrapëllimë nga çajtorja. Sapo pushoi zhurma, telefoni i tij cingëroi serish dhe zëri i një fëmije dëgjohej mirë! Babi ku je, pse nuk po vjen?
– Mami ka shkuar moti, e ti u vonove!
– Ku por rrini? A jeni në banesën e parë apo të dytën?
– Na jemi në të parën, por ky i vogli yt i dashur ka ikur në banesën e dytë dhe nuk na la as të dera të afrohemi. Unë me motrën po luajmë këtu në katin e parë.
– Ani babit, nëse mërziteni aty, dilni në banesën e tretë dhe prej aty mund ta shihni qytetin nga dritarja. Unë vij më vonë se jam larg.
– Po ku je babi? Jam larg dhe veturën nuk e kam.
– Babi, eja se mami nuk është këtu. Edhe qeni është mërzitur për ty.