Telegrafi

Sela: LSDM duhet ta ruaj neutralitetin ndaj partnerëve të koalicionit në zgjedhjet lokale

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, në një intervistë për TV21 tha se LSDM-ja duhet të jetë neutrale dhe të mos mbështetë asnjë nga partitë shqiptare në zgjedhjet e ardhshme lokale.

“Në qoftë se dëshiron të luajë korrekt LSDM në këtë fazë, minimumin që duhet të bëjë është të ruajë neutralitetin karshi partnerëve në qeveri, që hëpërhë nuk e shoh. Shpresojmë që LSDM do të këndellet dhe këtë gjë duhet ta dëshmojë duke nxjerrë kandidatura, sepse ndryshe nuk kemi pse të mos bëjmë kalkulime tjera me partitë politike”, deklaroi Sela, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ndërsa në lidhje me kandidimin e Arben Taravarit për Komunën e Gostivarit, Sela tha se nuk ka pasur asnjë ndikim tek vendimi i tij, ndërsa shtoi se Gostivarit i duhet një kryetar si Taravari.

“Nuk kam asnjë vërejtje ndaj Taravarit. Nuk kam ndikuar që ai ta merr këtë vendim, është i gatshëm ta vendos vetveten aty ku e kërkon anëtarësia e gjerë. Gostivari meriton një kryetar komune si Taravar”, tha Sela.

Ai në fund shtoi se janë të gatshëm që si udhëheqës kryesor të mos fshihen prapa pozitave që kanë, por janë të përgatitur të ballafaqohen me sfidat dhe të përgjigjen para elektoratit./Telegrafi/