Telegrafi

Sela: Ali Ahmeti nuk i përfaqëson interesat e gjithë shqiptarëve të Maqedonisë (Video)

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, në konferencë për shtyp ka reaguar ndaj takimit të kreut shtetëror në vend në lidhje me çështjen e emrit, në të cilin u përjashtua opozita shqiptare.

Sela tha se në këtë takim është dashur që të ftohet edhe opozita shqiptare, ndërsa ndjehet i zhgënjyer nga Ali Ahmeti që nuk i ka ftuar paraprakisht partitë parlamentare shqiptare, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Interesat e shqiptarëve në tryezën e bisedimeve nuk i përfaqëson Ali Ahmeti, pasi nuk ka mbështetje të qytetarëve në zgjedhjet e vitit 2016. Me këto elemente vetëm se shtohen ndarjet në shoqëri. Nëse do të duhet që çështja e emrit të vendoset me referendum, a i duhet kryeministrit 50 mijë votat e Aleancës për Shqiptarët, ose të Lëvizjes Besa, prandaj në këto negociata të merr pjesë edhe opozita shqiptare. Ne si Aleancë nuk e kemi ndërmend ta bllkojmë këtë çështje të rëndësishme, por do ta ngrisim zërin në opinion. Më shqetëson fakti që Ahmeti nuk u mërzit që opozita nuk është ftuar në takim. Ai është dashur që para se të shkoj në takim të thërrasë në takim gjitha partitë parlamentare shqiptare”, tha Sela.

Ai tha se nëse zgjedhja e nënkryetarëve vendoset në rend dite, Aleanca për Shqiptarët nuk do të votojë./Telegrafi/