Site icon Telegrafi

Sekuestrohet prona e Eskobarit të Ballkanit (Video)

Policia e Shtetit ndërhyri paraditen e së premtes në kompleksin “Santa Quaranta” në Sarandë, në pronësi të familjes Balili.

Prokuroria e Krimeve të Rënda vendosi sekuestron preventive për mos tjetërsimin e disa pronave të kësaj familjeje. Pjesë e kërkesës së organit të akuzës janë disa prona, si troje, dyqane, shtëpi private dhe disa apartamente në Sarandë.

Klement Balili, ish-kreu i Transporteve në qytetin bregdetar, vijon të jetë në kërkim policor prej më shumë se një viti për llogari të drejtësisë greke dhe asaj shqiptare.

Ai ka arritur t’u shpëtojë disa operacioneve policore për kapjen e tij, ku dyshohet se ka patur edhe dekonspirim në radhët e uniformave blu.

Efektivët e policisë kanë ushtruar kontrolle të imtësishme në të gjitha dhomat dhe ambientet e Kompleksit Santa Quaranta.

Emri i Klement Balilit u bë i njohur në maj të 2016-ës, ku pas një hetimi të DEA-s amerikane dhe autoriteteve greke, ai cilësohej si kreu i një organizate kriminale të trafikimit të drogave të forta nga Shqipëria në Greqi dhe më pas në vendet e BE-së.

I njohur ndryshe si “Eskobari i Ballkanit”, Klement Balili njihej edhe si një përson me njohje të forta dhe mbështetje politike në Shqipëri. /TCH/

Exit mobile version