Telegrafi

Sekuestrohet kokainë dhe kanabis, bien në pranga dy persona në Gjirokastër

Dy persona kanë rënë në prangat e policisë së Gjirokastrës, pasi kultivonin dhe shisnin drogë.

Gjatë operacionit të koduar “Ndërmjetësi”, ranë në pranga E. B., 35 vjeç dhe D. H., 25 vjeç, të dy banues në Gjirokastër.

“Sekuestrohen 236 gramë kokainë, 253 fara canabis sativa, 2 peshore elektronike dhe 3 celularë. Si rezultat i operacionit u vunë në pranga 2 shtetas që mbanin në banesat e tyre, lëndën dhe farat narkotike, me qëllim shitjen. Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme kundër veprimtarive kriminale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, si rezultat i një procedimi penal të ndjekur me metoda proaktive, për disa muaj, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin Operacional dhe Komisariatin e Policisë Gjirokastër, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Ndërmjetësi”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: E. B., 35 vjeç dhe D. H., 25 vjeç, të dy banues në Gjirokastër”, sipas njoftimit të policisë.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesat e dy personave dhe kanë gjetur 253 fara cannabis sativa, 236 gramë kokainë dhe 2 peshore elektronike, të cilat u sekuestruan cilësinë e provës materiale, bashkë me tre celularë.

Sipas policisë, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër./tch/