Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se Njësia e “TASK FORCE” Lindje (e përbërë nga Policia dhe Dogana e Kosovës) në zbatim të masave për parandalim dhe luftimin e paligjshmërisë dhe kontrabandës kanë intensifikuar kontrollet taktike dhe operacioneve në zonën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
Policia e Kosovës njofton për tri raste të ndara që kanë rezultuar me parandalimin e kontrabandimit të mallrave të ndryshme, në brezin kufitar me Serbinë.
Njoftimi i Policisë:
Rasti nr. 1:
Më datën 05.09.2024, rreth orës 06:35, në brezin kufitar mes fshatit Dobrosinë SRB dhe fshatit Stublinë –RKS, është vërejtur një automjet me targa serbe, nën dyshimin se ishte duke bërë kontrabandim me mallra.
Automjeti i dyshuar i cili po drejtohej nga i dyshuari mashkull, është ndaluar dhe gjatë kontrollit është vërejtur se kishte pasur të ngarkuar disa thasë, ku në brendësi kishte duhan me peshë nga 500 gramë.
Duhani ishte i llojeve të ndryshme si: Malbooro slim, Malboro silver, Sobranie dhe Tabako dhe arrinte në peshë të përgjithshme prej gjithsej 340 kg dhe për të njëjtin posedonte dokument mbi prejardhjen e mallit, ndërsa vlera e mallit dhe shmangiet doganore janë rreth 20.000 euro.
Lidhur me rastin të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me prokurorin kompetent, kurse malli i kontrabanduar dhe automjeti janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminalin doganor për procedurat e mëtejme sipas kompetencës.
Rasti nr. 2:
Më datën 04.09.2024, rreth orës 18:40, në brezin kufitar në mes të fshatit Breznicë SRB dhe fshatit Karaçevë e Poshtme – RKS, është vërejtur një automjet me targa vendore duke hyrë ilegalisht nga Serbia në Republikën e Kosovës. Gjatë kontrollit të automjetit i cili po drejtohej nga i dyshuari mashkull kosovar, i njëjti kishte pasur të ngarkuara 798 shishe me birra Zajrqasko (me nga 0.5 litër) pa dokumente mbi prejardhjen e mallit.
Rasti nr. 3:
Më datën 04.09.2024, rreth orës 19:50, në brezin kufitar në mes të fshatit Breznicë SRB dhe fshatit Karaçevë e Poshtme – RKS, është vërejtur një automjet me targa vendore duke hyrë ilegalisht nga Serbia në Republikën e Kosovës. Gjatë kontrollit të automjetit, i cili po drejtohej nga i dyshuari mashkull kosovar, është vërejtur se kishte pasur të ngarkuara 27 pako me speca në peshë rreth 300 kg pa dokumente mbi prejardhjen e mallit.
Lidhur me rastin automjeti dhe mallrat e kontrabanduara janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminal doganor për procedurat e mëtejme.
“Automjeti i dyshuar është arrit të ndalet gjatë kontrollit është vërejtur se drejtohej nga i dyshuari nga Bujanoci, i cili kishte pasur të ngarkuar disa thasë të najlonit të zi ku në brendësi kishte duhan me peshë nga 500 gram gjithsej 340 kg të llojeve te ndryshme si: Malbooro slim, Malboro silver, Sobranie dhe Tabako.
Vlera e mallit dhe shmangiet doganore janë rreth 20.000 Euro”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se lidhur me rastin të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit.
Malli i kontrabanduar dhe automjeti janë sekuestruar dhe dërguar në terminalin doganor-Dheu i Bardhë. /Telegrafi/