Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka njoftuar sekuestrimin e një apartamenti në pronësi të ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja.
Apartamenti ndodhet në zonën e Lungomares në Vlorë dhe dyshohet se është një pasuri e “fshehur” e ish-ministrit.
Pas kontrollit të kryer në korrik të vitit 2024, hetuesit kanë zbuluar të dhëna që sugjerojnë se apartamenti, bashkë me shpenzimet e investimit dhe mobilimit të tij, nuk janë deklaruar sipas ligjit. Nga dokumentet, rezulton se në vitin 2016, një kontratë për apartamentin u lidh ndërmjet shoqërisë ndërtuese R…K… sh.p.k. dhe një individi me inicialet I.F., lidhje e ngushtë shoqërore e Beqajt.
Ndërkohë, mobilimi dhe investimet për apartamentin u kryen nga Beqaj dhe bashkëshortja e tij deri në vitin 2019, me një vlerë prej mbi 5 milionë lekësh.
Sipas SPAK, në shkurt të vitit 2020, një kontratë qiraje u lidh formalisht ndërmjet stetasit I.F. dhe bashkëshortes së Beqajt, por të dhënat sugjerojnë se apartamenti është përdorur lirisht nga familja e Beqajt, e cila ka vepruar si pronare. Hetuesit dyshojnë se kjo marrëveshje është një manovër për fshehjen e pronësisë.
Bazuar në këto fakte, Prokuroria e Posaçme kërkoi vendosjen e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” për këtë pasuri, kërkesë e cila u miratua nga Gjykata e Posaçme me Vendimin Nr. 539, datë 20.09.2024.
Vendimi u ekzekutua nga Byroja Kombëtare e Hetimit në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë.
Apartamenti i sekuestruar ka një sipërfaqe prej 90.8 m², verandë prej 61.2 m² dhe sipërfaqe të përbashkëta prej 13.7 m². Prokuroria vijon hetimet për verifikimin e origjinës së kësaj prone të ish-ministrit të arrestuar.