Site icon Telegrafi

Sekuestrohen pistoletat e Gardës

Prokuroria ka dërguar për ekspertim në laboratorin e Institutit të Policisë Shkencore të gjithë pistoletat e kalibrit 9 mm që kishin në brez efektivët e Gardës të ndodhur brenda rrethimit të kryeministrisë ditën e demonstratës.

Të gjithë ata persona, që sipas regjistrit të armatimit, ditën e demonstratës ndodheshin brenda rrethimit të kryeministrisë, me urdhër të prokurorisë kanë dorëzuar pistoletat e brezit për ekspertim balistik e krahasues me 14 gëzhojat dhe predhat e nxjerra nga trupat e viktimave.

Sekuestrimi i këtyre pistoletave, sipas burime nga prokuroria të cituara nga Shekulli, është bërë për të gjetur autorët e 14 gëzhojave që ende nuk janë identifikuar se nga cila armë janë shkrepur dhe autorin e dyshuar për vrasjen e Faik Myrtajt apo edhe Aleks Nikajt, predha e të cilit ende nuk ka ardhur nga Turqia.

"Meqenëse Garda e Republikës nuk i ka identifikuar vetë personat që kanë qëlluar me pistoletë ditën e demonstratës së 21 janarit 2011 dhe nga pamjet filmike nuk dallohen, jemi detyruar t’i sekuestrojmë të gjitha për të parë se cili është personi dhe arma nga ku janë shkrepur plumbat luftarakë drejt turmës apo edhe në ajër", kanë thënë këto burime. /Telegrafi/
 

Exit mobile version