Policia Kufitare e Shqipërisë në bashkëpunim me Seksionin Kundër Narkotikëve kanë parandaluar dhe goditur tentativën për të trafikuar lëndë narkotike drejt Italisë. Sipas Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në Pikën e Kalimit Kufitar Durrës, janë sekuestruar 450 kg Cannabis Sattiva.
Policia e Shqipërisë thotë se ka filluar procedimi penal më gjendje të lirë në ngarkim të shtetasit Sh. J. 61 vjeç, banues në Tiranë, drejtuesi i mjetit.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasve A.R. 24 vjeç, banues në Tiranë dhe E.S. 28 vjeç, banues në Tiranë.
“Gjatë kontrollit të ushtruar në Pikën e Kalimit Kufitar Durrës, në mjetin tip Scania me targë përpara AA 822 OS dhe targë mbrapa ADT 801, me drejtues shtetasin Sh.J., pas dyshimeve nga Specialistët se në brendësi të tij kishte lëndë narkotike, për verifikim më të hollësishëm u kontrollua në Skaner. Në përfundim u konkludua një sasi lënde narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sattiva. Kamioni ishte i ngarkuar me arka plastike, bosh dhe lënda narkotike ishte e futur në të gjitha këmbët e arkave, ku pas peshimit rezultoi në total një sasi rreth 450 kg lëndë narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sattiva. Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Specialistët dhe grupi hetimor vijojnë punën për kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë rrjet kriminal. /Telegrafi/