Policia e Shtetit ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit u finalizuan në Mirditë dhe Lezhë dy operacione të koduara “Procesi” dhe “Furia” për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit dhe prodhimit të kanabisit.
Në kuadër të operacionit “Procesi” në fshatin Shtuf, njësia administrative Kaçinarë, Mirditë, pasi gjatë kontrollit në një banesë të pabanuar u gjetën qindra bimë në proces tharje me peshë totale 108 kilogramë kanabis.
Në vijim të operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit: P.Ç. 27 vjeç, A.M, 39 vjeç, P.M, 71 vjeç, dhe M.M, 67 vjeç, banues në Balldre, Lezhë, Kaçinar, Mirditë, të dyshuar si autorë të kultivimit dhe prodhimit të kanabisit që u gjet në proces tharjeje.
Ndërsa, në kuadër të operacionit “Furia” në fshatin Gjonbardhaj, Kashnjet, gjatë kontrollit të ushtruar në një stallë bagëtish, janë gjetur dhe sekuestruar rreth 92 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Gj. M. 46 vjeç, banues në Shkodër.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këto dy raste të veprimtarisë kriminale të kultivimit dhe prodhimit të kanabisit
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/