Rreth 14 kilogramë kanabis janë sekuestruar ditën e djeshme në Shkodër në kuadër të megaoperacionit “Alpet e Pastra”.
Policia bën me dije se në pranga janë vënë 3 persona ndërsa janë shpallur në kërkim dhe 6 të tjerë, anëtarë të grupi kriminal.
Nga kontrollet, shërbimet e Policisë gjetën në një banesë të pabanuar, në afërsi të lumit Kir, dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, rreth 13.8 kg lëndë narkotike cannabis sativa dhe sende për përpunimin e lëndës, që posedoheshin nga këta 9 shtetas, të cilët u identifikuan dje, si rezultat i hetimeve intensive të ndjekura proaktivisht, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës. Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u vunë në pranga 3 nga pjesëtarët e grupit kriminal dhe vijon puna për kapjen e 6 të tjerëve.
Gjithashtu, nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas të organizuar si grup, kishin kultivuar 10 274 bimë kanabisi, në fshatrat Kir dhe Pult, veprimtari kriminale e cila u shkatërrua nga Policia e Shkodrës, në gusht të këtij viti, si rezultat i fazës së 12-të të megaoperacionit “Alpe të pastra”.
Në gusht të këtij viti, Policia i asgjësoi grupit kriminal, 10,274 bimë kanabisi, të kultivuara në fshatrat Kir dhe Pult.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/