Site icon Telegrafi

Sektori financiar mbështet zhvillimin ekonomik

Zëvendësudhëheqës i Misionit të Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë Jan-Axel Voss, vizitoi sot Bankën Qendrore të Kosovës, me ç’rast u mirëprit nga Guvernatori Fehmi Mehmeti.

Guvernatori Mehmeti e njoftoi zëvendësudhëheqësin e Misionit të Ambasadës Gjermane rreth zhvillimeve në sektorin financiar të vendit, duke nënvizuar rritjen e aktivitetit të këtij sektori në mbështetje të zhvillimit ekonomik të vendit dhe shkallën e lartë të qëndrueshmërisë që gëzon ky sektor.

Ai shprehu mirënjohjen e lartë për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë Qeveria Gjermane për zhvillimin institucional të BQK-së dhe për zhvillimin ekonomik të vendit në përgjithësi. Guvernatori Mehmeti tha se angazhohet për të avancuar të gjitha funksionet e BQK-së dhe për forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit të shkëlqyeshëm me Ambasadën Gjermane në Republikën e Kosovës dhe agjencionet gjermane.

Zëvendësudhëheqësi i Misionit të Ambasadës Gjermane në Kosovë Voss, uroi Guvernatorin Mehmeti për përzgjedhjen e tij në postin e guvernatorit dhe inkurajoi BQK-në të vazhdojë rrugën e saj në rregullimin dhe mbikëqyrjen e sektorit financiar, si dhe mbarëvajtjen e stabilitetit të sektorit. /Telegrafi/

Exit mobile version