Telegrafi

Sekserët e spitaleve private që korruptuan kardiologët

International Medicine Hospital (IMH) çdo natë informohej saktë për pacientët që kërkonin trajtim në Klinikën e Kardiologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Drejtori i këtij spitali, Ali Hocaouglu, mbante kontakte me një person të cilin Prokuroria e Shtetit e identifikon si Driton, shkruan sot Koha Ditore në fillim të serisë së shkrimeve për aferën me sëmundjet e zemrës.

Ky person ia ofronte atij informatat e detajuara për pacientët, të cilët pranoheshin në Kardiologji e që duhej të referoheshin në njërën nga dy klinikat private me të cilat Ministria e Shëndetësisë më 2013 kishte lidhur marrëveshje: IMH dhe spitali “EDA”.

Dritoni e njoftonte IMH-në se cili mjek në QKUK atë natë ishte kujdestar dhe ku i referonte pacientët.

Sekseri i spitalit “EDA” ka qenë Lulzim Brovina, i cili bashkë me kardiologun maqedonas, Borqe Petrovski, e ka në pronësi këtë spital.