Nga: Emma Firth / CNN
Përkthimi: Telegrafi.com
Raporti i OKB-së për Lumturinë Botërore, i publikuar javën e kaluar, për të gjashtin vit radhazi e rendit Danimarkën në vendin e dytë më të lumtur në botë. Danimarka qëndron menjëherë pas Finlandës, një vend ky që për shtatë vjet me radhë mban vendin e parë.
Mund të tundoheni nëse e mendoni Danimarkën si nënkampione shumëvjeçare. Sepse, kjo do të thotë se ndoshta nuk e keni kuptuar mënyrën daneze të të menduarit.
Njerëzit në Danimarkë e kanë një mënyrë për të riformuluar situatat të cilat të tjerët mund t’i shohin si më pak se ideale. Autorët Jessica Joelle Alexander dhe Iben Dissing Sandahl e kanë këtë mendësi në librin e tyre, Mënyra daneze e të qenit prind [The Danish Way of Parenting], kur i përshkruajnë danezët si “optimistë realë”. Thënë thjesht, danezët mësohen t’i riformulojnë situatat negative në pozitive.
Për shembull, titujt e Raportit Botëror të Lumturisë nuk përqendrohen në faktin se danezët janë sërish të dytët pas Finlandës, por që Danimarka doli e para në kategorinë 60 vjeç e më lart. Dhe, raportet e lajmeve nuk ndalen në faktin se Finlanda edhe një herë sundon, por përkundrazi theksojnë se diferenca midis dy vendeve ishte më e vogël këtë vit sesa vitin e kaluar.
Këtë vit, Danimarka arriti në rezultatin e përgjithshëm prej 7 586 pikëve. Finlanda ishte pak më e lartë me 7 804. Këto rezultate janë llogaritur kryesisht nga Sondazhi Botëror i Gallup-it, ku rreth 100 mijë njerëzve në 130 vende u kërkohet të shënojnë jetën e tyre në nivelet nga zero deri në 10 – zero është jeta më e keqe e mundshme dhe 10 është më e mira.
Raporti i Lumturisë merr më pas mesataren e numrave të dhënë nga të anketuarit – në secilin vend gjatë tre viteve të fundit. Renditjet e këtij viti janë nga sondazhet e kryera ndërmjet viteve 2021 dhe 2023. Të dhënat analizohen, gjithashtu nga PBB-ja për frymë e një vendi, nga mbështetja sociale, jetëgjatësia e shëndetshme, liria, bujaria dhe korrupsioni.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara ranë nga 20 vendet e para të Raportit Botëror të Lumturisë – për herë të parë pas një duzinë vitesh të ekzistencës së raportit – duke u renditur në vendin e 23-të, kryesisht si rezultat i rënies së nivelit të kënaqësisë së shprehur nga njerëzit e moshës 30-vjeçare dhe më të rinj.
Kur e pyeta Catarina Lachmundit – analiste e lartë në Institutin e Kërkimeve të Lumturisë në Danimarkë – se çfarë e bën Finlandën më të lumtur se Danimarkën, ajo u përgjigj me shaka: “Sauna”. Finlanda ka tre milionë sauna mbresëlënëse për popullsinë e saj prej 5.5 milionë banorëve, plus 188 liqene dhe pyje që mbulojnë 75 përqind të territorit (kjo sipas të dhënave nga Visit Finland). Dhe, pastaj janë Dritat Veriore të cilat mund t’i shihni rreth 200 net në vit nga Laplanda – rastësisht nga aty ku jeton Babadimri. Ka shumë gjëra për të pëlqyer.
Por, në aspektin shkencor, Lachmund tha se dallimet midis Danimarkës dhe Finlandës “janë aq minimale saqë nuk mund t’i vësh në dukje”. Ka një arsye, në fund të fundit, se pse Danimarka tri herë më parë e mbajti titullin e vendit më të lumtur në botë. Ajo që Danimarka dhe Finlanda kanë të përbashkët është sistemi i mirëqenies i cili, siç më tha Lachmund, “të lejon të dështosh”.
Mund të humbisni punën tuaj në Danimarkë dhe të mbështeteni nga përfitimet e papunësisë. Mund të sëmureni dhe të mos shqetësoheni për një faturë ose për cilësinë e kujdesit. Mund të keni një vit të plotë pushim nga puna, për t’u kujdesur për fëmijën tuaj të porsalindur, dhe më pas të ktheheni në punën tuaj duke përdorur kujdesin për fëmijët që financohet me 75 përqind nga shteti. Arsimi është falas, përfshirë universitetin ku studentëve u paguhet një bursë mujore shtetërore për shpenzimet e jetesës. Ka strehim social, të drejta të abortit dhe sindikata që janë aq të forta saqë nuk ka nevojë për pagë minimale kombëtare.
Besimi në autoritetet publike përkthehet në shoqëri të mirëbesimit. Një mirëbesim që është kaq i madh, saqë çerdhja ku shkoi fëmija im nuk kishte bravë. Kur ajo dremiste, ishte jashtë në një karrocë me një monitor. Këndet e lojërave të shkollave janë të hapura për publikun, dhe fëmijëve nëntëvjeçarë u besohet të bëjnë rrugën e vet për në shkollë.
Familja gjithashtu është e rëndësishme për danezët. Kushëriri im 80-vjeçar danez, mendon se kjo është arsyeja se pse brezi i vjetër doli në krye të raportit të lumturisë së këtij viti.
“Danimarka është shumë e lidhur, sa i përket familjes, dhe mes të moshuarve burojnë shumë kënaqësi nga kjo”, më tha ai. Kjo ndjenjë e bashkimit është pjesë e konceptit hygge – që mund të përkufizohet si kohë joformale me njerëzit që t’i i do.
Një tjetër fjalë daneze për të përshkruar një koncept të ngjashëm është fælles. Përkthyer fjalë për fjalë si “e përbashkët”, përfshin idenë e bashkimit dhe shkon me fjalët e tjera si fællesspisning, një iniciativë “për të ngrënë së bashku si komunitet” dhe fællessang – “këndim në komunitet”.
Këto janë ide të mrekullueshme, autentike daneze, por kjo nuk do të thotë se danezët mendojnë se duhet ta fitojnë vendin e parë në Raportin Botëror të Lumturisë – edhe nëse do t’i kishin tre milionë sauna. “Jam shumë i kënaqur që nuk jemi numri një, që do të thotë se nuk jemi të destinuar që të jemi që të gjithë të lumtur”, më tha një i afërm në anën daneze të familjes sime, me humorin klasik që është karakteristikë kombëtare.
Këtu ka diçka tjetër për të ditur për danezët: në mënyrë të famshme e nënçmojnë veten. Ata i përmbahen në mënyrë stoike kodit shoqëror të pashprehur të quajtur Jante Law – koncept të cilit në fakt i përmbahet gjithë Skandinavia – që i dekurajon individët të mendojnë shumë për vetveten. Çmohen nënvlerësimi, modestia – madje një sasi e caktuar konformiteti. Kjo vlen edhe për aspiratat kombëtare. Danezët nuk kanë nevojë për një rezultat për të treguar se po veprojmë mirë, se ata tashmë këtë e dinë. Pse të shtyhen me fqinjët për këtë?
Kjo më kthen në Raportin e Lumturisë Botërore, duke qenë vazhdimisht në vendin e dytë pas Finlandës. Danimarka u emërua vendi më i lumtur më 2012, 2013 dhe 2016 – dhe mund të fitojë sërish vendin e parë. Por, deri në një moment të tillë, më lejoni t’ju prezantoj me një koncept tjetër thellësisht danez.
Ka të bëjë me fjalën pyt (shqiptohet pid), e cila u zgjodh nga leksikografët disa vite më parë si fjala e preferuar e Danimarkës. Një përkthim i përafërt mund të jetë, “nuk ka rëndësi, gjëra që ndodhin”, dhe unë mund ta them ndoshta me ngritje të lehtë të shpatullave dhe thjesht me një nuancë të buzëqeshjes. Është disi analoge me konceptin që folësit anglezë i referohen si “uji që rrëshqet në shpinën e rosës”.
Kjo i lejon danezët të pranojnë një situatë e tillë si vendi i dytë, pa u mërzitur shumë për këtë. /Telegrafi/