Një grua 96-vjeçare që përballet me akuzat për nxitje të mijëra vrasjeve ndërsa punonte si sekretare e komandantit të një kampi të përqendrimit të Luftës së Dytë Botërore, heshti në fillimin e gjyqit të saj në Itzehoe pranë Hamburgut të martën.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, e pandehura, e cila hyri në gjykatë në një karrige me rrota, nuk do t’i përgjigjej asnjë pyetjeje në këtë fazë, tha avokati i saj i caktuar nga gjykata, Wolf Molkentin.
Gruaja, e quajtur sipas ligjit gjerman vetëm si Irmgard F, akuzohet për ndihmë dhe nxitje të vrasjes në më shumë se 11,000 njerëzve në kampin nazist të Stutthof, i vendosur pranë Danzig – tani qytet port polak i Gdansk – gjatë luftës.
Ajo akuzohet si punonjëse civile në shërbim të SS, për kompozimin, renditjen ose hartimin e të gjitha letrave të komandantit të kampit, Paul Werner Hoppe, në periudhën qershor 1941 deri në prill 1945, kur kampi u çlirua nga Ushtria e Kuqe.
Dhe sipas dpa, kjo do të thoshte se ajo kishte njohuri për gjithçka që po ndodhte në kamp, përfshirë metodat e vrasjes.
Gjyqi, i cili po mbahet në një gjykatë për të mitur për shkak të moshës së të pandehurës në kohën e veprave të supozuara, ka të ngjarë të jetë një nga të fundit që lidhet me epokën naziste.
E pandehura do të dilte në gjyq më 30 shtator, por u arratis në mëngjesin e gjyqit. Ajo u gjet brenda disa orësh dhe u mbajt në paraburgim për pesë ditë para se të lirohej me kusht.
Sipas zyrës qendrore përgjegjëse për hetimin e krimeve naziste në Ludwigsburg, rreth 65,000 njerëz vdiqën në kampin e përqendrimit gjerman dhe nënkampet e tij, si dhe në të ashtuquajturat marshime vdekjeje në fund të luftës. /Telegrafi/