Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke mbajtur mbledhje. Sekretariati i KQZ-së ka bërë të ditur se sot ka dorëzuar një rekomandim për hapjen e disa kutive të votimit me fletëvotime vetë dërguara nga votuesit jashtë Kosovës në kutitë postare të KQZ.
“PZAP më 4 mars 2025 e që lidhet me ankesën e LVV-së, rreth 15 fletëvotime që janë shpall të pavlefshme në QNR i ka përfshi dhe ka urdhëruar KQZ-në që ti shpall të vlefshme. Këto 15 fletëvotime përbëjnë gjithsejtë 11 vendvotime në 6 komuna Deçani, Gjakova, Klina, Dragashi, Gjilani dhe Kaçaniku”, ka thënë Besnik Buzhala.
Ai ka shtuar se lidhur me këtë duke u mbështetur me vendimin e PZAP-së, sekretariati i KQZ-së i rekomandon KQZ që të marrë vendim për hapjen e disa kutive të votimit përmes postës me qëllim të vlerësimit të fletëvotimeve që janë shpall të pavlefshme.
“Bëhet fjalë për 1631 fletëvotime të pavlefshme, ku këto përfshijnë gjithsejtë 177 vendvotime nga 187 gjithsejtë. Pra nga 177 vendvotime që përmbajnë fletëvotime të pavlefshme, të zbrazëta dhe të pa përdorura, prej 1-10 fletëvotime përfshijnë 117 vendvotime, prej 11-20 përfshijnë 56 vendvotime, 21-25 fletëvotime të pavlefshme përfshijnë 4 vendvotime. Të hapen këto 177 kuti të votimit në mënyrë që të vlerësohen fletëvotimet e pavlefshme në bazë të vendimit që ka marrë PZAP”, tha Buzhala.
E anëtari i KQZ-së nga Partia Demokratike e Kosovës, Ilir Gashi është shprehur kundër hapjes së këtyre kutive të votimit, shkruan Telegrafi.
“Vendimi i PZAP-së është marrë, në bazë të ankesës së një subjekti politik. Do tendencë për të aplikuar këtë vendim në raste analoge nuk qëndron sepse PZAP për secilin rast veç e veç ka marrë vendime. Po flasim për disa fletëvotime që janë burim i një printeri. Unë e kam thënë që nga fillimi që ky proces i votimit në diasporë është i kontaminuar”, ka thënë Gashi.
Ai ka shtuar se asnjë kuti tjetër nuk duhet të hapet pa vendim të PZAP-së apo Gjykatës Supreme.
“Unë jam për me respektu vetëm vendimin e PZAP për fletëvotime konkrete që ka thënë se duhet mi valiu. Asnjë kuti tjetër pa vendimit të PZAP apo Gjykatës Supreme nuk bënë të hapet dhe jam kundër një gjëje të tillë”, ka thënë Gashi.
Ndërkaq anëtari i LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi ka thënë se është pro rekomandimit të sekretariatit për hapjen e kutive të votimit.
“Ne kemi një rekomandim prej sekretariatit që ishte i detajuar. Ne kemi një vendim të PZAP-së parimor në aspektin procedural dhe objektiv. Bëhet fjalë për fletëvotime që nuk kanë qenë të shtypura mirë. Ajo që konstaton PZAP është se këto janë të vlefshme pasi që është ditur qëllimi i votuesve, dhe janë shpallur gabimisht të pavlefshme. E miratoj rekomandimin e sekretariatit”, ka thënë Kurteshi.
Ibrahim Selmonaj anëtar i AAK-së në KQZ, ka thënë se edhe nëse numërohen të gjitha votat që kanë ardhur nga diaspora janë vota të kontaminuara, të dyshuara.
“Janë vota që prej fillimit kur ka nisur regjistrimi, votimi e transporti nuk na japin garanci që ajo votë është e sigurt. Duhet respektuar vendimi i PZAP-së dhe e mbështes këtë vendim”, ka thënë Selmonaj. Ai shtoi se Prokuroria duhet të merret me këtë rast. /Telegrafi/