Site icon Telegrafi

Sekretari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi provokohet nga policia serbe, i kërkohet të nënshkruajë dokumentin ku ai konsiderohet shtetas i Serbisë

Sekretari i Zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Fatmir Haxholli, ka bërë të ditur se sot është provokuar nga autoritetet serbe në vendkalimin kufitar me Serbinë, të cilët i kanë ofruar të nënshkruajë një dokument gjobitjeje për kinse tejkalim të shpejtësisë në të cilin Haxholli është konsideruar si shtetas i Republikës së Serbisë.

Haxholli, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se “sot autoritetet policore (mbrojtja e afërt) dhe ato kufitare serbe, në koordinim, duke dashur të më provokojnë dhe vendosin në lajthitje, në vend se siç parashihet me marrëveshje, të më ofrojnë trajtim preferencial në pikëkalimin kufitar, më ofruan për nënshkrim një dokument, gjoja gjobë për tejkalim shpejtësie, për 15 km/h”.

“Duke qenë të shoqëruar nga përcjellja e afërt, ne i përshtatemi shpejtësisë dhe rregullave të saj, rrjedhimisht është paradoksale që të gjobitesh për një gjë për të cilën nuk je, dhe as nuk mund të mbahesh përgjegjës”, ka shkruar Haxholli, transmeton Telegrafi.

Haxholli thotë se “qëllimi i vërtetë i kësaj qasje të pa pranueshme ishte që përmes mashtrimit dhe lajthitjes, siç edhe kërkuan, të marrin nga unë nënshkrimin tim nga pozita zyrtare, në një dokument zyrtar serb, ku në shkelje flagrante ndaj dokumentit identifikues, numrit të letërnjoftimit të Republikës së Kosovës, ishte shkruar R. Serbisë”.

“Normalisht unë protestova ashpër ndaj kësaj qasje fyese dhe manovruese, duke ua sqaruar që ndonëse gjoba është shqiptuar në shkelje të ligjeve të tyre, unë do ta nënshkruaja çfarëdo dokumenti ku referenca është e saktë, pra nëse autoritetet serbe e vendosin saktë: Fatmir Haxholli, zyrtar, respektivisht diplomat i Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.

Më tej ai thotë se “Ky amatorizëm manovrues nuk mund të kaloj te dikush me përvojë”. /Telegrafi/

Exit mobile version