Sekretari i Thesarit amerikan, Steven Mnuchin, ka thënë se aktivistja suedeze për klimën Greta Thunberg nuk është në gjendje të japë këshilla ekonomike derisa të shkojë në kolegj dhe të dalë me një diplomë ekonomie.
Në një konferencë shtypi në Forumin Ekonomik Botëror, Mnuchin hodhi një varg kritikash për 17-vjeçaren Thunberg, e cila ka rekomanduar që sektorët publik dhe privat duhet të largoheshin nga lëndët djegëse fosile, transmeton Telegrafi.
Kur u pyet se si kjo do të ndikonte në modelin ekonomik të SHBA-së, Mnuchin u përgjigj duke pyetur nëse Greta Thunberg është një ekonomist, madje duke thënë se e gjitha kjo “ishte një shaka”.
Ai tha se “pasi ajo të shkojë dhe studiojë ekonominë në kolegj, ajo mund të kthehet dhe të na shpjegojë”. /Telegrafi/