Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka filluar në turne një-javor në Lindjen e Mesme, me fokus Iranin dhe luftën kundër ISIS. Ndalesa e tij e parë ishte Jordania.
Pompeo tha se turneu i tij synon të japë mesazhin se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj rajonit, për të mundur Shtetin Islamik dhe për t’iu kundërvënë atyre që ai i cilësoi si “aktivitete destabilizuese të Iranit”.
Udhëtimi i Pompeo përfshin ndalesa në Egjipt, Bahrein, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katar, Arabi Saudite, Oman dhe Kuvajt.
Në bisedimet me udhëheqësit e Lindjes së Mesme Sekretari Amerikan i Shtetit pritet të diskutojë për situatën në Siri, prej nga administrata Trump po planifikon tërheqjen e rreth 2 mijë trupave, si dhe për lidhjet ekonomike mes vendeve të rajonit.
Pompeo ka në plan të mbajë një fjalim në Kairo, për të cilin Departamenti amerikan i Shtetit thotë se do të fokusohet tek “përkushtimi i Shteteve të Bashkuara ndaj paqes, zhvillimit ekonomik, qëndrueshmërisë dhe sigurisë në Lindjen e Mesme”. /VOA /Telegrafi/