Site icon Telegrafi

Sekretari i OKB paralajmëron: Nacionalizmi i vaksinimit po zgjerohet– vaksinat duhet t’i shpërndahen të gjitha vendeve

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka paralajmëruar sot se “nacionalizmi i vaksinimit” po zgjerohet me shpejtësi të madhe, ku vendet e varfra kohëve të fundit po i shikojnë ato të pasura “duke u përgatitur për vaksinim masiv, derisa po e pyesin veten nëse ndonjëherë do të vjen kjo vaksinë kundër COVID-19 edhe tek ata”.

Siç raporton AP, shefi i Kombeve të Bashkuara ka ripërsëritur se shpërndarja e vaksinës duhet të jetë për të mirën publike dhe e qasshme për të gjithë në veçanti në Afrikë, transmeton Telegrafi.

Ai apeloi që të jetësohet projekti i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që kap vlerën e 4.2 miliardë dollarë dhe atë brenda dy muajve të ardhshme, me të cilin mëtohet që vaksinat të porositen për vendet më të varfra në botë.

Guterres tha se sistemi i Covax është i vetmi që garanton që vaksinat do t’i porositen edhe vendeve të Afrikës dhe atyre që janë në zhvillim e sipër.

Në anën tjetër kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Gebreyesus i është drejtuar javën e kaluar Këshillit për Siguri të Kombeve të Bashkuara, ku tha se “në fund të tunelit çdo herë e më shumë po shihet dritë”, duke theksuar se vaksinat duhet të shpërndahen njëtrajtshëm dhe të mos shërbejnë si privilegj për komunitete të caktuara. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version