Telegrafi

Sekretari i Kuvendit: Caktimi i seancës obligim ekskluziv i Adem Mikullovcit

Sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi ka deklaruar se kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Adem Mikullovci, është përgjegjës për thirrjen e seancës së ardhme rreth konstituimit të Kuvendit.

Ky reagim i Krasniqit vjen pas deklaratave të kryesuesit Adem Mikullovci, i cili sot tha se seanca do të thirret në momentin kur atë ta njoftojë Sekretariati i Kuvendit se ndonjëra nga partitë ka arritur t’i bëjë numrat.

“Kurdo që kryesuesi të njofton për seancë ne përgatitemi. Është detyrë e kryesuesit që ta thërrasë seancën”, deklaroi Krasniqi për Express.

Ndryshe, kryesuesi, deputeti më i vjetër i Kuvendit që vjen nga radhët e VV-së, Adem Mikullovci sot deklaroi për Telegrafin se seanca do të thirret në momentin kur atë e njofton Sekretariati i Kuvendit se ndonjëra nga partitë ka arritur t’i bëjë numrat.

“Nuk ka seancë deri sa të më thërret sekretariati i Kuvendit e të thotë caktoje seancën se PAN-i i ka bërë numrat ose ndonjë koalicion tjetër. Unë nuk jam i sigurt kur mundet me pas seancë”, ka thënë Mikullovci.