Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry shprehu urimet me rastin e 28 nëntorit, 104-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
Në mesazhin dërguar në emër të Presidentit Obama dhe popullit amerikan, Kerry shkruan se Shqipëria është një forcë në rritje për sigurinë rajonale dhe globale.
Shtetet e Bashkuara, thuhet në mesazh, çmojnë thellë ndihmesën e Shqipërisë për Koalicionin Global në Luftën Kundër ISIS-it, për Operacionin Mbështetja e Vendosur dhe për KFOR-in.
“Ne vlerësojmë gjithashtu angazhimin tuaj të fortë për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe nxitjen e paqes në të gjithë Ballkanin Perëndimor”, shkruan Kerry.
Në vitet në vijim, thuhet në mesazh, Shtetet e Bashkuara presin vazhdimin e bashkëpunimit, sidomos në mbështetje të progresit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.