Sekretari britanik për Brexit, David Davis, i cili ka udhëhequr negociatat e Britanisë së Madhe për braktisjen e Bashkimit Evropian ka dhënë dorëheqje nga Qeveria Britanike.
Në letrën e tij të dorëheqjes ai ka kritikuar planin e qeverisë për Brexit, duke thënë se do ta vendoste Parlamentin në një pozitë të dobët në procesin negociues, raporton BBC.
Kryeministrja Theresa May u përgjigj ndaj tij duke thënë se nuk pajtohen, megjithatë e falënderoi për kontributin e dhënë. Davis ishte emëruar sekretar në vitin 2016.
Britania e Madhe përmes referendumit në qershor të vitit 2016 vendosi që të braktisë BE-në, mirëpo largimi ende nuk ka marrë formën e prerë, dhe negociatat pritet të zgjasin me vite.