Site icon Telegrafi

Sekretari Blinken në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s për Ukrainën dhe Ballkanin Perëndimor

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s do të takohen nga 27 deri më 29 nëntor në Bruksel dhe në qendër të takimit do të jetë agresioni rus në Ukrainë dhe situata në Ballkanin Perëndimor.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se sekretari Antony J. Blinken do të marrë pjesë në takim, përfshirë takimin e parë të ministrave të Jashtëm të Këshillit NATO-Ukrainë.

“Sekretari Blinken do të theksojë angazhimin e palëkundur të NATO-s ndaj Ukrainës në luftën e saj kundër agresionit rus, do të theksojë mbështetjen tonë për demokracinë dhe qëndrueshmërinë rajonale në Ballkanin Perëndimor dhe do të diskutojë përparësitë e takimit të Uashingtonit në korrik të vitit 2024”, thuhet në një njoftim të Departamentit të Shtetit.

NATO-ja vazhdon të mbështes Ukrainën e cila shpreson që një ditë të anëtarësohet në aleancën ushtarake perëndimore, zgjerimi i së cilës kundërshtohet nga Moska, e cila nuk i sheh me sy të mirë as aspiratat e vendeve të Ballkanit për integrimet euroatlantike.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili gjatë javës vizitoi disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor, tha se aleanca po shqyrton një shtim të përhershëm të pranisë së saj ushtarake në rajon, për të mbajtur tensionet nën kontroll.

Trupa shtesë u vendosën në Kosovë pas një përleshjeje të armatosur ndërmjet policisë së Kosovës dhe një grupi serbësh të armatosur në veri të vendit me 24 shtator. Një pjesëtar i policisë u vra gjatë sulmit në të cilin u vranë edhe tre pjesëtarë të grupit të armatosur, në ngjarjen që cilësohet si më e renda që nga koha kur Kosova shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008.

Kosova akuzon Serbinë për organizimin dhe mbështetjen e sulmit, ndërsa Beogradi mohon lidhjet me sulmin, përgjegjësinë për të cilin e mori Milan Radoiçiç, ish nënkryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që është themeluar dhe mbështetet nga Beogradi.

NATO-ja vendosi 1,000 trupa shtesë në Kosovë pas kësaj ngjarjeje, dhe sipas sekretarit Stoltenberg ky ishte shtimi më i madh i trupave në vitet e fundit, që dëshmon sa seriozisht e trajton aleanca dhunën e 24 shtatorit.

“Tani ne po shqyrtojmë nëse duhet të kemi shtim të përhershëm për t’u siguruar që kjo të mos dalë jashtë kontrollit dhe të krijojë ndonjë dhunë në Kosovë, apo në rajonin e gjerë”, tha sekretari Stoltenberg të hënën në Prishtinë.

Një ditë më pas në Beograd ai i tha presidentit serb Aleksandar Vuçiç se palët duhet të ulin tensionet dhe “grumbullimi i forcave ushtarake serbe pranë vijës kufitare” më Kosovën, “nuk e ndihmon situatën”.

Nën trysninë e zhvillimeve në terren, diplomacia perëndimore është vënë në përpjekje për të përshpejtuar normalizimin e marrëdhënieve, duke i kërkuar Prishtinës themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe ndërsa Beogradit njohjen de fakto të Kosovës.

Sekretari Stoltenberg bëri thirrje për vazhdimin e bisedimeve Kosovë –Serbi dhe për dhënien fund të tensioneve në rritje në Bosnjë e Hercegovinë.

Gjatë vizitës në Sarajevë ai tha se aleatët mbështesin fuqishëm sovranitetin dhe tërësinë tokësore të Bosnjës e Hercegovinës, por “jemi të shqetësuar nga retorika ndarëse dhe përçarëse, si dhe nga ndërhyrjet e huaja keqdashëse, përfshirë Rusinë”.

Së fundmi, është rritur frika se Rusia po përpiqet të destabilizojë Bosnjën dhe pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor për të hequr vëmendjen nga agresioni i saj në Ukrainë. Moska e ka mbështetur në mënyrë të hapur udhëheqësin pro-rus të serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, i cili vazhdimisht ka bërë thirrje për ndarjen e vendit dhe bashkimin me Serbinë fqinje të gjysmës së Bosnjës, që kontrollohet nga serbët.

Moska mbështet Serbinë në kundërshtimin e saj ndaj pavarësisë së Kosovës dhe ndonëse Beogradi e ka shpallur synim të tij anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ruan lidhje të ngushta me Kremlinin.

Gjatë javës Serbia tha se ka blerë 11 helikopterë luftarakë Mi35 të prodhimit rus nga Qiproja. Serbia e cila e ka shpallur veten ushtarakisht të paanshme dhe është pjesë e Partneritetit për Paqe me NATO-n, ende mbështetet në teknologjinë ushtarake ish sovjetike, ndonëse vitet e fundit ajo filloi blerjet e sistemeve perëndimore dhe kineze.

Shtetet e Bashkuara thanë se janë në dijeni që Serbia bleu një model të vjetër të helikopterëve të përdorur rusë Mi35 nga Qiproja, duke theksuar se për shkak të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, asnjë vend nuk duhet të bëjë biznes me sektorin rus të mbrojtjes.

Serbia ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë e cila është izoluar nga perëndimi për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, që pritet te jetë temë diskutimesh në takimin e Këshillit Ministror të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë që do të mbahet në Shkup me 30 nëntor dhe 1 dhjetor.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të marrë pjesë në një darkë joformale në kuadër të takimit.

Më herët është paralajmëruar mundësia që në takim të marrë pjesë edhe ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov. Me 24 nëntor, qeveria e Maqedonisë së Veriut mori vendim për një lehtësim të sanksioneve kundër Federatës Ruse, duke hequr masën kufizuese për fluturimin e avionëve rus në hapësirën e saj. /VOA/

Exit mobile version