Ideja e ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë nuk është zgjidhje e shekullit 21, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ish-zëvëndës ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për çështje evropiane, Thomas Countryman.
Sipas tij, arritja e një marrëveshje midis dyja vendeve duhet të merret nga liderët dhe qeveritë përkatëse dhe se ky nuk është një vendim ndaj të cilit Shtetet e Bashkuara kanë veto.
“Pra, nuk është një vendim në të cilin Shtetet e Bashkuara kanë veto. Megjithatë, shumë vëzhgues të Ballkanit janë të shqetësuar se çfarë do rivendosje territoriale midis Kosovës dhe Serbisë mund ketë disa pasoja negative. Kjo mund të çonte në diskutimet nëse kufijtë duhet të jenë në bazë të vijave etnike në vende si Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë dhe Hercegovina dhe kjo do të ishte formula për rikthimin e konflikteve etnike dhe destabilizimin e rajonit. Pra, unë mendoj se riaranzhimi i kufijve midis Kosovës dhe Serbisë nuk është përgjigje e shekullit 21 për problemet që ato kanë mes vete”, ka thënë Countryman.
Duke folur rreth çështjes së dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, Countryman ka theksuar se nuk e di se si të dilet nga kjo bllokadë.
Ai ka shtuar se liderët e të dyja vendeve po bëjnë deklarata shumë publike duke parë në drejtim të zgjedhjeve të ardhshme dhe sfidave të brendshme sesa që janë të fokusuar në negociimin e çështjeve të vështira ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Unë jam i bindur se potencialisht ekziston një rrugë përpara ku të dy liderët do të punonin në ndonjë lloj ideje që do ta shtynin përpara për të siguruar se të dyja vendet Kosova dhe Serbia janë shoqëri të fuqishme shumë etnike. Por si të tejkalohet ky bllokim politik brenda të dyja vendeve tash për tash, këtu nuk kam përgjigj”, tha Countryman.
Sekretari amerikan ka folur edhe për çështjen e taksës të vendosur nga Qeveria e Kosovës, për produktet nga Serbia dhe Bosnja.
Thomas Countryman shoti se kjo nuk është lëvizje e dobishme nga ana e Qeverisë së Kosovës.
“Mendoj se nuk është lëvizje e dobishme nga ana e Qeverisë së Kosovës për të vendosur tarifa në importet e Serbisë dhe Bosnjës. Kjo nuk krijon kushte për një dialog domethënës midis Prishtinës dhe Beogradit. Unë shpresoj se do të shohim një rikthim të dialogut në vend të veprimeve kundër njëra tjetrës”, tha Countryman.
Në këtë intervistë, ish përgjegjësi për Ballkanin në Departamentin e Shtetit, tash drejtor i bordit të Asosacionit për Kontrollin e Armëve, Thomas Countryman, flet edhe për rrezikun që paraqesin disa liderë të Ballkanit për qytetarët e vendeve të tyre si dhe mundësinë e një konflikti të ri në rajon. /Rel/Telegrafi/