Site icon Telegrafi

Sekondat para aksidentit me fatalitet në Birmingham të Anglisë: Viktima mbante një shishe vodka dhe filmonte, derisa shoku i tij voziste me shpejtësi dhe përplaset për një pemë

Një video që tregon sekondat e fundit të jetës së një burri para se të vdiste – në një përplasje të tmerrshme – është publikuar nga policia.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Hasan Razzaq, 25 vjeç, regjistron veten duke mbajtur një shishe vodka, ndërsa shoku i tij Uzaifa Ahmed, 27 vjeç, vozit rreth Small Health, Birmingham, me 100 mph (160 km/h).

Pak më vonë, Ahmed humbi kontrollin e automjetit, duke u përplasur për një pemë në Garrison Lane në prill të vitit 2021.

Siç thuhet më tej, djaloshi doli nga makina e tij e shkatërruar dhe la shokun e tij të vdiste, duke u larguar nga vendi i ngjarjes pa e raportuar në shërbimet e urgjencës.

Razzaq u dërgua në spital, ku vdiq dy javë më vonë, më 18 prill 2021 nga lëndime të rënda në kokë.

Dhe javën e kaluar, Ahmed u deklarua fajtor për një sërë veprash, duke përfshirë shkaktimin e vdekjes nga vozitja e rrezikshme dhe mos ndalimi në vendin e një aksidenti, si dhe dështimi për të raportuar një aksident.

Ai u dënua në Birmingham Crown Court me tetë vjet e njëmbëdhjetë muaj burg. Atij gjithashtu iu ndalua të drejtonte makinën për nëntë vjet e pesë muaj. /Telegrafi/

Exit mobile version