Site icon Telegrafi

Sejko: Shqipëria ka ndër normat më të larta të rritjes ekonomike në rajon

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko tha se, “politikat e kujdesshme kanë mundësuar një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe një stabilitet të përgjithshëm financiar pavarësisht goditjeve në 4 vitet e fundit”

Në fjalën e tij, mbajtur sot gjatë prezantimit të Raportit të Tranzicionit të BERZH-it 2023-2024, Sejko theksoi se, “në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria ka një ndër normat më të larta të rritjes ekonomike, normat më të ulëta të inflacionit dhe rritjen më të ngadaltë të kostove të financimit”.

Guvernatori e cilësoi të një rëndësie të veçantë Raportin e Tranzicionit të BERZH, i cili siç tha ai, “hap siparin e analizave profesionale ekonomike për vitin, shtyn përpara debatin ekonomik, jo vetëm mbi sfidat e kohës, por edhe mbi politikat e duhura zhvillimore në funksion të një rritjeje sa më të shpejtë e të qëndrueshme, të përmirësimit të mirëqenies shoqërore, të integrimit ekonomik e financiar me partnerët tanë evropianë, si dhe të rritjes së rezistencës ndaj goditjeve”.

“Ndër temat e parashtruara në Raportin e Tranzicionit, dëshiroj të ndalem në atë të ndryshimeve klimatike. Ngrohja globale dhe rritja e frekuencës së fatkeqësive natyrore të lidhura me klimën, kanë pasoja gjithnjë e më të larta për të gjitha vendet e ekonomitë, qofshin ato të zhvilluara apo në zhvillim, të mëdha apo të vogla “, tha Sejko.

Vlerësimet e FMN-së, vijoi Guvernatori, sugjerojnë se Shqipëria ka mesatarisht një episod fatkeqësie natyrore në vit, e cila shkakton dëme deri në nivelin 1.3% të PBB-së dhe prek të paktën 1 në 200 banorë të vendit.

Sejko apeloi që përballë kësaj situate, autoritetet publike duhet të angazhohen në plane e strategji konkrete për të minimizuar ndikimin e tyre dhe për të arritur një zhvillim ekonomik e social të qëndrueshëm.

“Përpjekjet e BSH-së: janë përqendruar në tre drejtime kryesore: Së pari, në monitorimin e rreziqeve klimatike dhe zgjerimin e kapaciteteve tona analitike në këtë fushë. Së dyti, në promovimin e financave të gjelbra. Ku së fundmi është miratuar “Strategjia për Menaxhimin e Rreziqeve Financiare të lidhura me Ndryshime Klimatike, 2023-2025” dhe së treti, në forcimin e bashkëpunimit me partnerët vendas dhe të huaj”, u shpreh Sejko.

BSH punon me partnerë shqiptarë dhe ndërkombëtarë për të rritur dijen, ndërgjegjësimin dhe transparencën për çështje të lidhura me klimën. Prej vitit 2020, BSH është anëtare e Rjetit për një Sistem Financiar të Gjelbër (NGSF), ndërkohë që bashkëpunon prej shumë kohësh me Bankën Botërore (FinSAC), me Sekretariatin Shtetëror për Çështjet Ekonomike të Qeverisë Zvicerane (SECO), Iniciativën e Vjenës dhe të tjerë.

Exit mobile version