Site icon Telegrafi

Sejdiu thotë se Serbia e di kush e vrau Ivanoviqin (Video)

Ish-presidenti, Fatmir Sejdiu, duke e vlerësuar figurën e presidentit historik Ibrahim Rugova dhe miqësinë e tij të fortë me ndërkombëtaret, tha se, sidomos në këtë kohë duhet ta ruajmë partneritetin me ta.

Sejdiu në një intervistë për RTV21 komentoi edhe zhvillimet e fundit rreth Gjykatës Speciale, demarkacionin me Malin e Zi, vizitën e djeshme të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq dhe suspendimin e dialogut Kosovë-Serbi.

Për vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq, Sejdiu tha se është i bindur se Serbia e di se kush e ka vrarë atë.

Sejdiu tha se zbardhja e vrasjes së tij do të jepte dy sinjale të mira.

“Të ndërprehen kalkulimet në çfarë tipi janë dhe e dyta do të tregonte seriozitetin e institucioneve të vendit”, tha ai.

Duke folur për vizitën e Vuçiqit në Kosovë, Sejdiu tha se qëllimi i vizitës së tij në Kosovë, nuk është krejtësisht i sinqertë, por siç tha ai, “ta marrim si përpjekje që ndihmon në zbardhjen e vrasjes së tij”.

“Jam shumë i bindur se shërbimet serbe e dinë kush e ka vrarë Oliver Ivanoviqin”, përfundoi ai.

Lidhur Gjykatën Speciale, Sejdiu tha se të gjithë ata që kanë punuar në kundërshtim me ligjin duhet të japin llogarinë e tyre.

Ai ka thënë se demarkacioni me Malin e Zi, duhet të përfundojë një herë e përgjithmonë.

“Për ne është me rëndësi të kemi marrëdhënie të mira me Malin e Zi, por njëkohësisht të saktësohet mirë çka është e mundshme të ndërtohet bashkë për t’i dhënë fund këtij procesi të ndjeshëm”, tha ai.

 

Exit mobile version