Site icon Telegrafi

Sejdiu: Vendimi i GJND-së ishte përgjigje ndaj gjithë atyre lojërave dhe trysnive ndaj Kosovës

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e ka cilësuar si aktin më historik vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të para 13 vjetëve.

Ai ka thënë se vendimi i kësaj gjykate i cili i mbështetur në argumente të fuqishme dhe të parrëzueshme konfirmon se shpallja e pavarësisë së Kosovës “nuk paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare as të Rezolutës 1244 dhe Kornizës Kushtetuese” është akti më i rëndësishmi që e mbështet edhe juridikisht vendimin e përfaqësueseve të popullit të marrë në ditën e 17 shkurtit 2008 për Pavarësinë e Kosovës.

Lexo po ashtu Kurti: GJND-ja i dha vulën përfundimtare asaj që e dinin gjithë kohën mbështetësit e drejtësisë

“Ky vendim i GJND-së ishte përgjigje edhe ndaj gjithë atyre lojërave dhe trysnive ndaj Kosovës me të cilat dëshironin të shembnin vullnetin e popullit të Kosovës për të jetuar i lirë dhe i pavarur”, ka shkruar Sjediu në Facebook.

Ai mes tjerash është shprehur se nuk ishte paradoks kur për vendimin e tillë votojnë edhe gjyqtarë nga vendet që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës.

“Kjo në fakt ishte mbështetje e argumenteve të parrëzueshme të cilat ishin baza themelore mbështetëse e veprimeve të saj në ditën e shenjtë të 17 Shkurtit 2008”, ka përfunduar ish-presidenti.

Ndryshe, këtë të shtunë janë bërë 13 vjet që kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka shpallur vendimin këshillëdhënës, sipas të cilit deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Me 10 vota pro dhe katër kundër, anëtarët e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës kishin vendosur në favor të Kosovës, duke refuzuar kështu kërkesën e Serbisë për shkelje të së drejtës ndërkombëtare. /Telegrafi/

Exit mobile version