Ish-presidenti Fatmir Sejdiu ka thënë se me 17 shkurt të vitit 2008, ish-kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, e ka lexuar Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.
Ky dokument është një akt i rëndësishëm i Kuvendit të Kosovës, por Thaçi nuk e ka shpallur atë.
“Deklarata e Pavarësisë është dokument i Kuvendit. Kemi biseduar, Thaçi e ka lexuar atë deklaratë. Nuk e ka shpallur ai, është autorësi i Kuvendit të Kosovës. Ne jemi nënshkrues të parë, sipas pozitave të shtetit. Është nënshkruar një dokument që është historik. E kanë nënshkruar edhe disa deputetë të komuniteteve,” tha Sejdiu.
Sejdiu, në emisionin “Debat Plus”, u shpreh se me ish-kryeministrin Hashim Thaçi ka pasur mosmarrëveshje, por punët e rëndësishme për shtetin e Kosovës janë bërë me mirëkuptim.
Bashkëpunimi me Thaçin dhe Krasniqin
“Ka pasur çështje ku nuk jemi pajtuar, por ka pasur edhe raste kur kemi arritur marrëveshje përmes bashkëpunimit institucional të nevojshëm. Kemi pasur koncepte të ndryshme, gjë që është e natyrshme. Por në çështjet që kanë të bëjnë me rrugën e Kosovës dhe zhvillimin e saj, ka pasur unitet institucional. Ka qenë produktive.
Në takimet tete-a-tete të së hënave, 99% janë zhvilluar në zyrën time. Nga pozita si shef i shtetit, ai ka shkuar në këto rrafsha. Takimet me kryetarin e Kuvendit kanë qenë të rralla, por ato që janë zhvilluar kanë qenë konstruktive.
Temat kanë qenë aktuale, ditore. Një nga mosmarrëveshjet me kryeministrin Thaçi ka qenë për shkak të kryetarit të Rahovecit. Arsyet kanë qenë të thjeshta dhe shumë të qarta: Ministria e Pushtetit Lokal kishte marrë vendim për dorëheqjen e tij dhe rikthimin në pozicion. Kemi shkuar në Gjykatën Kushtetuese, dhe vendimi është marrë ashtu siç e kisha parashikuar unë,” shtoi Sejdiu.
Sejdiu kujtoi se datën e Pavarësisë e kanë ditur afërsisht dy javë para shpalljes, por informacione të tilla janë ruajtur me konfidencialitet.
“Afër dy javë para shpalljes e kemi ditur datën. Janë çaste motive që secili nga ne i ka pasur. Por është e vërtetë se nuk kemi dalë jashtë disiplinës institucionale. Kemi pasur konsulta të thella me partnerët ndërkombëtarë, sidomos me SHBA, duke filluar nga sekretari i shtetit dhe personalitete të tjera të vendeve aleate. Kemi dashur të ruajmë në konfidencialitet edhe pjesën e kuvendimeve pozitive. Kam dashur të mbetem në një mënyrë pajtuese, si pjesë e një uniteti të përgjithshëm të heshtur, derisa të vinte momenti. Ka pasur nxitime të shumta dhe të lloj-llojshme, dhe janë lidhur njerëz me kushte. Ka pasur presione, si p.sh., ‘Nuk po guxoni ta bëni këtë më 28, apo jo?’ Ka pasur edhe përgjegjësi për 28, si dhe presionin që ka pasur. Por kjo na bëri të kuptojmë se duhet të reagojmë. Është e lehtë të lavdërohesh me gjëra të huaja. Kini kujdes,” shtoi ai.