Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu, ka reaguar ndaj shkarkimit të Shukri Maxhunit nga posti i zëvendësministrit të Bujqësisë.
Sejdiu në një postim në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se për Qeverinë është “në rregull” nëse vjedhë, e shkel Kushtetutën, por nuk tolerohet nëse i rrezitë këmbët në dritare të veturës.
Ai e ka cilësuar Qeverinë si hajgare.
“Në Kosovë, “në rregull është” nëse vjedhë, e zapton shtetin, e shkelë Kushtetutën, keqpërdorë, punëson militanta e familjarë pa meritë, abuzon dhe e falimenton shtetin, etj. Veq mos gabo me i rrezitë këmbët në xham të veturës, se kjo nuk tolerohet”, ka shkruar në Facebook, Sejdiu.
Ndryshe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka liruar nga detyra zëvendësministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Shukri Maxhuni.
“Sot kam liruar nga detyra zëvendësministrin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Shukri Maxhuni”, ka njoftuar kryeministri Haradinaj.
Ditë më parë, Maxhuni ishte fotografuar në veturën zyrtare, deri sa i mbante këmbët pranë xhamit të përparmë./Telegrafi/