Telegrafi

Sejdiu: Pavarësia e Kosovës nuk ka alternativë

Sejdiu tha se pavarësisht tendencave të vazhdueshme të Serbisë për ta komprometuar procesin e zgjidhjes së statusit, Kosova nuk do të lejojë ndërprerje të procesit dhe se nuk ka koncept tjetër përveç pavarësisë së saj.

Ai tha se pavarësisht preferencave të Serbisë për ta kompromituar procesin e statusit, Kosova do ta respektojë agjendën ndërkombëtare dhe do të finalizojë atë me pavarësinë e saj, duke e cilësuar atë si fakt të kryer.

Procesi i bisedimeve me Serbinë, theksoi ai, nuk është amnisti e krimeve që Serbia i ka kryer në Kosovë për shumë dekada e sidomos në luftën e fundit. Por ai tha se është i rëndësishëm pajtimi qytetar i cili është pjesë e vizionit të Kosovës. Ai përmendi edhe tendencat e shumë formacioneve e sidomos të atyre që vijnë nga Serbia për ta destabilizuar situatën në Kosovë.

Presidenti Sejdiu tërhoqi vërejtjen se qytetarët e Kosovës nuk duhet të bien viktimë e këtyre grupeve duke thënë se "Kosova do të jetë faktor stabiliteti në rajon".

Në fund të kësaj ligjërate, presidenti Sejdiu iu përgjigj edhe shumë pyetjeve të studentëve të cilat kishin të bënin me perspektiven e Kosovës pas statusit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe për investimet e huaja në Kosovë. /qik/