Telegrafi

Sejdiu: Pastrimi do të pastrohet nga uzurpatorët

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu, në një konferencë për media, ofroi informata rreth zhvillimeve të fundit lidhur me ndërmarrjen publike rajonale “Pastrimi”.

Ai tha se mbetet shqetësues mosveprimi i institucioneve kompetente kundrejt vendimeve që duhet zbatuar si dhe për rrugën që duhet ndjekur që qyteti i Prishtinës të pastrohet prej mbeturinave, por edhe ndërmarrja “Pastrimi” të pastrohet nga problemet që janë akumuluar gjatë 15 viteve, si rezultat i një qeverisje nepotiste, klienteliste, kleptokrate, familjare që është instaluar gjatë qeverisjeve të kaluara.

Ndërsa, këshilltari komunal i Lëvizjes Vetëvendosje!, njëkohësisht aksionar i Kuvendit Komunal në ndërmarrjen rajonale pastrimit, Genc Sherifi, tha se pas zgjedhjes së Prof. Dr Bardhyl Nocit si kryesues i bordit të drejtorëve të ndërmarrjes Publike Pastrimi, bordi i drejtorëve është mbledhur dhe e ka shkarkuar kryeshefin e kësaj ndërmarrje, Feim Salihun.

“Komisioni komunal i aksionerëve, po ashtu, ka bërë edhe një padi për konfikt administrativ që kundërligjshëm ia ka zgjatur mandatit Feim Salihut, me 20 dhjetor të vitit 2013. Lidhur me këtë kemi edhe vendimin e gjykatës, e cila e ka quajtur kundërligjor . Çështja e ekzekutimit të vendimit të gjykatës është çështje që është e rregulluar me ligj. Vendimi i nxjerrë është titull ekzekutiv dhe si i tillë është i plotfuqishëm dhe ekzekutiv ndërsa policia nuk na ka ofruar asistencë për zbatimin e këtij vendimi”, tha Sherifi. Ai u shpreh se kryesuesi i bordit të drejtorëve Bardhyl Noci është kërcënuar nga Feim Salihu, me ç’rast z.Noci e ka lajmëruar këtë rast në polici dhe ka dorëzuar kallëzim penal në prokurori. Mirëpo, sipas tij, as policia e as prokuroria nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim. Tash bëhen 14 muaj që Komuna e Prishtinës ka paraqitur raste të ndryshme në institucionet përkatëse, ndërsa kemi asnjë veprim konkret, tha Sherifi.

Nënkryetari Sejdiu tha se përkundër këtyre fakteve, institucionet kompetente nuk po i zbatojnë vendimit duke ia mundësuar mbajtjen e pozitës Feim Salihut. “Kemi dy akte plotësisht legjitime: aktin e bordit të drejtorëve, i cili e shkarkoi Feim Salihun dhe masën e përkohshme të gjykatës, e cila përcakton se ky person nuk është drejtor ngaqë procedurat përmes së cilave është përzgjedhur, nuk janë ligjore, gjë që konfirmohen edhe nga masa e përkohshme e gjykatës. Në momentin që kërkojmë zbatimin e kësaj mase nga policia e Kosovës, ajo kthen përgjigje se nuk janë këtu për implementimin e urdhrave të gjykatës! Një paradoks i llojit të vet. Pra, gjykata merr vendim, ndërsa policia – e keni parasysh ministër i MPB – së tashmë është Skënder Hyseni (LDK), sikundërse edhe Feim Salihu qe ka qenë asamblist i LDK – së, pra, në çdo hap kemi sfidim të sistemit të drejtësisë, të implementimit të veprimeve dhe vendimeve ligjore të Komunës së Prishtinës dhe të gjykatave kompetente. Situata është e thjeshtë, e kemi një uzurpator i cili nuk e lëshon vendin, përkundër vendimeve të gjykatës”, tha nënkryetari Sejdiu.

Pra, sipas nënkryetarit Sejdiu, sistemi i drejtësisë dhe organi për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore tashmë janë shpërfaqur që janë në funksion vetëm në funksion të interesave politike të interesit shtetëror. Ne si qeverisje komunale nuk kemi rrugë tjetër pos të insistojmë në zbatimin e vendimeve tona.

Ai u shpreh se situata me mbeturina në qytet vazhdon të jetë shumë brengosëse ngaqë mbeturinat nuk janë duke u mbledhur as me kohë e as me rregull, nuk mirëmbahen hapësirat publike dhe në të njëjtën kohë kemi një insistim të pushtetit qendror të mbajë në pozitë një uzurpator siç është Feim Salihu në pozitën e drejtorit të ndërmarrjes “Pastrimi”.

Nënkryetari Sejdiu u shpreh se në asnjë mënyrë nuk do të lejohet që kryeqytetit të kapet prej të tillëve. /Telegrafi/