Drejtor i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, ka theksuar se për mjekët është problem mungesa e kushteve të punës, ndërsa u shpreh se kjo është edhe arsyeja kryesore për të cilën mjekët kanë deklaruar se po largohen nga Kosova.
Gjatë intervistës për Telegrafin, Sejdiu ka thënë se specializimet dhe pagat e ulëta janë arsyet tjera për çka mjekët po e lënë Kosovën.
“Çështja e kushteve të punës, në të gjitha sondazhet që i kemi bo, ka qenë çdo herë, arsyeja kryesore, pse po i lëshojnë vende e punës në publik dhe pse po largohen prej Kosovës. Pastaj kanë ardh si niveli i tretë rrogat. E dyta ka qenë specializimet, gjegjësisht sub-specializimet, apo ngritja profesionale dhe pastaj rrogat. Do të thotë, edhe vet profesionistët shëndetësor e kanë qit problemin e kushteve të punës”, theksoi Sejdiu.
Kurse, kryetari i Federatës së Sindikatave të Kosovës, Blerim Syla ka thënë se nga paslufta e deri më sot mjekët kushtet i kanë pothuajse minimale për të ushtruar funksionin e vet.
“Unë po filloj prej kushteve të punës, apo mjeteve të punës, që ata do të duhej t’i kishin që të japin shërbimin sa më të mirë të mundshëm, e duke dalur edhe të çështja materiale e tyre, pra në të dyja aspektet, Kosova si Kosovë mjekëve nuk iu ofron atë për çka ata janë të thirrur dhe nuk iu ofron atë që popullata ta merr si duhet”, shprehet Syla.
Syla thotë se në Kosovë mungojnë jo vetëm kushtet elementare por edhe infrastruktura ligjore.
“Unë nuk po e jap një shembull por më shumë. Ne kemi mjek të cilët janë të aftë për ta bërë transplantin e veshkës, mirëpo është e pamundur sepse nuk kemi infrastrukturë ligjore. Ta marrim ortopedinë, që ka një kosto shumë të madhe të transplanteve e të tjera, mirëpo ju nëse shkoni sot atje mund të jeni dëshmitarë, që për shkak të mungesës së mjekëve duhet të drejtoheni në privat. Por, janë të njëjtit mjek, të cilët kishin me kry shërbimin në të njëjtin nivel profesional edhe në sektorin publik”, theksoi ai. /Telegrafi/