Site icon Telegrafi

Sejdiu: Kosova nuk ka nevojë për struktura jashtë institucionale

Presidenti Sejdiu ka thënë se institucionet e Kosovës pas përcaktimit të statusit do të marrin barrën themelore të udhëheqjes së tërë procesit, do të jenë në partneritet bashkëpunimi të mirë me misionin e ri ndërkombëtar, por edhe me OSBE-në si mekanizëm i veçantë për rolin që ka edhe në vendet përreth.

“Kemi përpara një proces të rëndësishëm, siç është procesi i zgjedhjeve, dhe qasja që ka ambasadori është pjesë e sprovës sonë, se si do të ecet në gjithë këtë proces duke filluar nga certifikimi, fushata dhe aspekte të tjera për të reflektuar kulturën politike dhe shtetformuese që ka Kosova”, tha Presidenti Sejdiu.

Ndërsa, shefi i ri i OSBE-së në Kosovë, z. Guldimann, tha me këtë rast se ”ne jemi duke mbështetur procesin zgjedhor, i cili është top-prioriteti ynë për të siguruar që ky proces të jetë i suksesshëm sikur edhe proceset e tjera zgjedhore që ishin organizuar në Kosovë. “Procesi zgjedhor duhet të shihet si një proces i ndarë nga ai i statusit. Jemi të bindur se zgjedhjet do të mbahen në 17 nëntor dhe ky është një hap shumë i rëndësishëm për ndërtimin e demokracisë në Kosovë”, pohoi ai.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve për të komentuar paraqitjen e personave të uniformuar, të cilët i përkasin një organizate të paraqitur si AKSH, presidenti Sejdiu theksoi: ”Për ne është me rëndësi të kemi një refleksion të përgjithshëm me maturi në ruajtjen e stabilitetit të vendit, ekzistojnë mekanizmat e qartë, të cilët janë përgjegjës për mbrojtje dhe siguri të Kosovës dhe mendoj se ajo përgjegjësi është duke u ushtruar në mënyrën ma të mirë të mundshme. Është më rëndësi të ngrisim, të ndërtojmë dhe të zhvillojmë mekanizmat institucionalë të sigurisë në nivelin më të mirë të mundshëm”.

Po ashtu, ai tha se Kosova nuk ka nevojë për struktura jashtë institucionale, dhe nuk duhet të provokohet nga nxitjet për luftë që vijnë përreth saj.

Exit mobile version